Kandidati për kryetar i PD-së takime në Tropojë, Has dhe Rrëshen

TIRANE, 12 korrik 2013 – Kandidati për kryetar të PD Lulzim Basha ishte në Tropojë, Has, Rrëshen dhe njësinë bashkiake numër 2, në Tiranë. Mentalitet anti-shtet e cilësoi Lulzim Basha konkursin e hapur nga Edi Rama, për punësimin e militantëve në websitin e PS. Me demokratët në Tropojë, Has dhe Rrëshen kandidati për kreun e PD tha se ky është një rast i paprecedentë në botën demokratike. Do të mbrohet çdo punonjës që do të largohet në mënyrë abuzive nga puna-përsëriti Basha. 

“Partia Demokratike do të të faturojë çdo ditë, përmes një rrjeti juridik, të gatshëm jo vetëm të evidentojmë por të provojmë me fakte para çdo gjykate padrejtësitë e këtyre vendimeve, t’i kthejë ato në konsekuenca ligjore, për rikthim në punë, konsekuenca financiare për dëmshpërblim dhe më pas është detyra jonë t’i kapitalizojmë si konsekuenca politike, për të shkurtuar ditët e kryezullumqarëve” – theksoi z. Basha.

Basha tha se PD është parti e vlerave më të larta që gëzojnë kombet demokratike, ndaj dhe sipas tij ajo është shpresa e çdo shqiptari. Ai tha se vendimmarrja në PD do të bëhet me pjesëmarrjen e çdo anëtari dhe simpatizanti të kësaj partie, jo vetëm në zgjedhjen e drejtuesve të partisë, por edhe kandidaturat për drejtues vendorë apo deputetë. 

“Pika e parë e platformës sime për këtë fillim të ri është që çdo vendim politik apo organizativ i PD, të nisë nga anëtarët dhe militantët e PD, kudo që ndodhen”

Paralajmëroi edhe një aksion të gjerë opozitar që do të shtrihet në gjithë vendin . Synimi është afrimi i çdo individi që sot e ka kuptuar se premtimet e mazhorancës së re nuk do të realizohen kurrë. Partia Demokratike sipas Bashës duhet të ketë gati platformën, për një Shqipëri të zhvilluar dhe evropiane.

“PD do të garantojë, që edhe ata të mashtruar të 23 qershorit ta kuptojnë koston e mirëbesimit tek “rilindja” e mashtrimit. Ne do të na kenë mbi kokë ditë për ditë, për t’i kujtuar se kanë premtuar 300 mijë vende të reja pune, se kanë premtuar heqjen e taksës për biznesin e vogël, se kanë premtuar shëndetësi falas për çdo shqiptar. Opozita shqiptare nuk mund të mjaftohet vetëm me kaq, në kushtet e kësaj mazhorance. Ne duhet të jemi gati sot, t’u paraqesim shqiptarëve platformën tonë, se ne jemi dhe mbetemi e vetmja shpresë e Shqipërisë së zhvilluar evropiane”