TIRANE, 12 korrik 2013 – Sekretari i Përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, shpreh keqardhje që 30 mijë votat e marra më 23 qershor nuk u përkthyen në mandate për FRD-në.

“Sigurisht që ndjejmë keqardhje që për shkak të një Kodi Elektoral të pandershëm jo vetëm me forcat politike, por në radhë të parë për qytetarët, pasi i ka shndërruar ato në “noterë” dhe jo zgjedhës, 30 mijë votat e FRD-së nuk përkthehen  në përfaqësim në Kuvend. Por kjo nuk do të thotë që ndiejmë keqardhje për mosfutjen në asnjërin nga dy koalicionet”, shprehet Oketa.

Sipas tij, gjatë këtyre zgjedhjeve është ushtruar një dhunë ekstreme.

“Këto zgjedhje pavarësisht se do të cilësohen si “të lira”, ndoshta janë nga zgjedhjet më të vështira që kemi pasur gjatë  gjithë këtyre 23 viteve. Presioni i pushtetit mbi administratën, detyrimi i saj të mbushte sheshet e të mbushte listat me emra që duhej të deklaronin votën pro qeverisë, presioni mbi biznesin, vrasja e një mbështetësi të një force politike dhe plagosja e një kandidati në qarkun e Lezhës ditën e votimeve, tregojnë se zgjedhjet nuk janë thjesht rezultat, por shumë më shumë se kaq”, pohon Oketa për gazetën Shqip.

Ai tregon se e ardhmja e FRD-së nuk do të jetë në funksion të asnjë force politike, por vetëm në funksion të strukturave dhe e forumeve drejtuese të saj.