KAVAJE, 12 korrik 2013 – Një 32-vjeçar është plagosur me armë zjarri paraditen e sotme në Kavajë, pas një konflikti të rastit me një të afërmin e tij. 

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Synej të Kavajës, ku 32-vjeçari Arjan Dajiu është qëlluar me pistoletë nga i afërmi i tij, Sami Dajiu. 

I plagosuri është transportuar menjëherë në spital, prej ku mësohet se gjendja e tij është e rëndë. Sipas policisë, 32-vjeçari është person problematik me precedent penalë. 

Ndërkohë mësohet se 65-vjeçari Sami Dajiu është arrestuar pak minuta pas ngjarjes, ndërsa policia ka sekuestruar edhe armën e krimit, një pistoletë TT. 

Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e konfliktit mes tyre, ndërsa policia po punon për të zbardhur krimin.