GREQI, 12 korrik 2013 – Së paku 20 plagë plumbash në kokë dhe në gjoks kishin trupat e dy shqiptarëve, xhaxha e nip, të vrarë nga forcat speciale greke EKAM, në Koniska Aetoloacarnania, në Greqi.
Sipas gazetës greke “To Vima”, ky është përfundimi i ekzaminimit mjeko-ligjor të viktimave, përpara se ata të dërgoheshin pranë familjeve të tyre në Shqipëri. Në gazetë shkruhet se dy shqiptarët ishin bërë “shoshë” nga plumbat e policisë, gjatë përplasjes me armë.
Në mbrëmjen e datës 2 korrik, në Koniska u zhvillua një shkëmbim zjarri mes policisë dhe dy shqiptarëve, xhaxha e nip, Flamur dhe Ermir Sinani.
Shefja e departamentit të mjekësisë ligjore të Patras, Angeliki Xiola, ka thënë për gazetën se shqiptarët morën të shtëna shumë herë, nga një largësi prej rreth 30-50 metra. Por deri tani nuk është e qartë nëse të gjitha plagët janë shkaktuar nga plumbat e qëlluara nga policia në drejtim të tyre, apo disa prej tyre janë shkaktuar edhe nga fragmente plumbash të tjerë.
Dje Abdulla Sinani, vëllai i njërës nga viktimat denoncoi në mediet shqiptare, “masakrimin” që iu është bërë dy shqiptarëve të cilët sipas tij, “nuk mund të quhen të vrarë, por të dhunuar e të copëtuar nga plumbat”. Sipas Abdullait, që tha se i ka parë me sytë e tij kufomat, “ata ishin qëlluar me snajper dhe i kanë patur krahët e kockat të thyera dhe kishin të nxira nëpër trup”.
Ndërkohë policia greke vazhdon mobilizimin në kufirin greko-shqiptar për të identifikuar dhe kapur shqiptarët e tjerë të arratisur. Oficerët e Policisë vlerësojnë se edhe pse nuk duket asnjë gjurmë e pranisë ose lëvizjes së të kërkuarve, (pasi në orët e fundit nuk ka asnjë dëshmi rreth tyre apo për vjedhje automjeti), ata nuk kanë hyrë në territorin shqiptar dhe mbeten ende në Greqi, ku ndoshta gjejnë strehim të organizuar.





