Ajo di të vijë ndryshe çdo herë tek fansat e saj, bën gjëra ndryshe dhe është karakter ndryshe nga të gjitha këngëtaret e skenës muzikore shqiptare. Këtë nuk e themi vetëm ne, por e konfirmojnë edhe dashamirësit e muzikës moderne shqiptare. Fjalën e kemi për Big Mama-n, e cila edhe pas kaq vitesh karrierë artistike vazhdon të jetë IN dhe shumë e dashur për publikun shqiptar, jo vetëm për këngët që sjell, por edhe për natyrën sport dhe mjaft origjinale që shfaq në daljet publike. Pas suksesit që kishte më këngën e fundit, momentalisht Big Mama po punon me disa projekte të tjera, që do t’i prezantojë shumë shpejt në ekran. E ndërkohë që preferon të punojë “pak e saktë”, ajo nuk lë pas dore veten dhe pushimet verore që duket se e mbushin me adrenalinë. E shquar për një komunikim të drejtpërdrejtë mediatik, e tillë vjen edhe në “Koha Jonë”, ku ndër të tjera, Big Mama rrëfen hapur raportin që ka me kolegët, famën, meshkujt, suksesin, pushimet dhe veten…
Jeni një ndër këngëtaret më të dashura dhe të kërkuara të tregun muzikor shqiptar. Si ju bën të ndjeheni ky fakt edhe pas kaq vitesh aktivitet?
Faleminderit për vlerësimin! Ndoshta për faktin se mundohem të jem sa më origjinale në stilin tim, aq sa mundem, sigurisht pasi në këto kushte që punojmë është shumë e vështirë të bësh diçka siç duhet. Ndjehem me fat, pasi mundohem të sjell gjëra të bukura për ata që e pëlqejnë muzikën time.
Me se po merreni momentalisht?
Pasi jemi në sezonin e verës mundohem të shijoj në maksimum kohën e lirë me shoqëri dhe ndonjë ditë plazh. Pas një promovimi të klipit të fundit do mundohem që të sjell disa këngë të reja, për të cilat po punohet.
Kënga juaj e fundit ka rezultuar mjaft e suksesshme. E prisnit?
Pas një pune të palodhshme për një kohë të gjatë, secili kërkon një sukses për punën që bën. Nuk është se e prisja, pasi ndodh që edhe dështojnë me raste, por ja që kënga është pëlqyer shumë dhe kam marrë komente pozitive për ndryshimin që solla.
Çfarë mendoni se ju bën të veçantë dhe ndryshe nga këngëtaret e tjera?
Po s’e di veçantinë që pëlqen publiku tek unë. Ndoshta afërsia me publikun, sinqeriteti ndaj tyre ka bërë që unë të jem e dashur dhe e pëlqyer për vite me radhë edhe pse shpesh mungoj me projektet e mia.
Edhe në tregun muzikor, sikurse në çdo sferë të jetës ka rivalitet. E ndjeni ju konkurrencën dhe a ju ka ndodhur të shihni ndonjëherë skena xhelozie profesionale? Si keni reaguar?
Tek secili profesion ka rivalitet këtë mos e harroni, por në skenë është më e theksuar për faktin se është një gjë që shpesh shprehet hapur, madje mediat e transmetojnë në mënyra të ndryshme. Unë nuk kam ndjerë konkurrencë, madje as që ndjej xhelozi ndaj ndonjërit, por ama kam hasur shpesh në skena të tilla. Reagimi ka qenë shumë normal, pasi mua nuk kanë mundësi edhe të ma shfaqin xhelozinë e tyre, nuk e di pse më kanë frikën aq shumë, (qesh).
Nuk ju shohim shpesh në Festivale si pjesëmarrëse, pse? Ka ndonjë arsye të veçantë?
E vërtetë. Ka një kohë të gjatë që unë nuk jam pjesë e kompeticioneve muzikore. Jo për ndonjë arsye të veçantë, por deri më tani nuk kam pasur në dorë ndonjë material që më ka tërhequr për ta prezantuar në Festival. Ndoshta në një të ardhme të afërt edhe do më shihni.
Opinioni juaj për nivelin e Festivaleve tona?
Duhet një organizim akoma më i mirë edhe pse nuk janë keq për momentin. Ndoshta dhe një angazhim sa më i madh nga konkurrentët do e bëjë akoma më special eventin, në të cilin marrin pjesë.
Këngëtarët tuaj të preferuar shqiptarë?
Këtu nuk do të doja të përmendja emra, pasi po fillova dikujt do t’i ngelet hatri, por ata që i kam miq, i respektoj dhe janë të preferuarit e mi e dinë.
Ku mendoni se pëlqeheni më shumë, në Maqedoni, Kosovë, apo Shqipëri?
Unë tashmë kam krijuar audiencën që më dëgjon dhe më pëlqen, ngado që shfaqem. Më presin siç duhet, kështu që nuk mund të bëj dallime për publikun shqiptar.
Ndër këngët qe keni lançuar deri më tani, cila mendoni se ju ka bërë më të suksesshme? Cila mbetet më e dashura për ju?
Janë disa këngë që për mua ngelen shumë të dashura që janë krijuar me shumë ndjenja, si për shembull, “Ishe agresiv”, “Ti kot e kot”, “Video seksi”, “Dhëndër”, ishin ato që më kanë sjellë shumë sukses, ndërsa “Shokut tim” dhe “E duroj” janë më të veçanta, ndoshta për faktin se ngërthejnë brenda vetes histori reale.
Klipi i këngës suaj të fundit shquhet për elementë ndryshe nga klipit e tjera. E kujt ka qenë ideja dhe cili është mesazhi që kërkonit të transmetoni nëpërmjet tij, klipit dhe këngës?
Ideja ka qenë e Gencit, regjisorit të Entermedias që të sjellë diçka ndryshe dhe që publiku të kënaqet nën tingujt e muzikës ritmike në një projekt të veçantë dhe jo të zakonshëm. Thashë dhe në fillim se dua të sjell pak gjëra, por ama të bukura. Mesazhi është shumë i qartë që shpesh në këngët e mia unë kritikoj botën mashkullore për një vëmendje më të madhe për gjininë e butë. Jam dhe pak feministe dhe nuk dua që të ma marrin për keq, (qesh).
Dalim në një aspekt tjetër dhe pikërisht në jetën private. Si po shkon ajo?
Unë e di që kureshtja më e madhe e mediave dhe publikut është jeta private, por për momentin nuk kam ndonjë gjë për të deklaruar. Le ta mbaj për vete edhe atë pak gjë që më ka ngelur. Në momentin që unë do marr guximin për të deklaruar siç duhet një lidhje do jeni të parët që do ta mësoni (qesh).
Çfarë vlerësoni më shumë në karakterin e një mashkulli? Po fizikisht?
Femra do dëshironte që në krah të ketë një mashkull inteligjent, të pashëm, të bukur dhe të sinqertë e me karakter. Por më shumë mjafton bukuria e shpirtit që, sot rrallë e gjen diku, ndërsa aparenca e një mashkulli nuk ka pasur shumë rëndësi për mua. Të jetë unik, jo si meshkujt e ditës sotshme që në çdo, të dytën fjalë e kanë gënjeshtër. Të jetë i guximshëm, me një fjalë tamam burrë, i zoti për shtatë gra (qesh).
Një këngëtare si ju a ka pengje në jetë?
Gjithësecili ka pengje në jetë, këtë nuk e vë në dyshim, por mendoj se akoma nuk jam bërë për gjynah, (qesh).
Jeni aventuriere dhe cila ka qenë aventura më e bukur e jetës suaj?
Aventuriere nuk do të thoja, por rrezikoj shumë dhe gjithmonë kam qejf që të bëj një gjë që dikush edhe ka frikë. Unë si tip që jam dëshiroj të bëj dhe gjëra të magjishme (qesh). Kam aq shumë, saqë për momentin nuk më kujtohen, por edhe mund të më imagjinoni në raste të tilla.
Çfarë nuk do të bënit kurrë për hir të famës?
Nuk e di, ndoshta nuk do mund të më shihni nudo.
Çfarë jeni e gatshme të bëni për hir të famës ndërkombëtare?
Edhe kam provuar famën jashtë kufijve shqiptarë. E kam parë si është, kështu që nuk më tërheq edhe aq shumë, pasi ishte aq e mundimshme.
Eksperienca juaj profesionale në Turqi kohët e fundit. Na flisni pak për të?
Isha, bëra një këngë dhe u ktheva. Më pëlqeu shumë vëmendja e mediave atje, më pritën shumë mirë. Projekti kaloi aq bukur, saqë nuk mund të imagjinohet, por të menaxhosh karrierën në një vend aq të madh sa ç’është Turqia duhet të sakrifikohesh në shumë gjëra dhe unë aq e madhe sa jam do duhej të ndahesha në katër pjesë (qesh), prandaj vendosa që të kthehem aty ku fillova. Më mjafton kjo që jam.
Jeni përfolur që keni kryer ndërhyrje estetike për të rënë në peshë. Sa e vërtetë është kjo?
E vërtetë që kam kryer ndërhyrje kirurgjike dhe përveç ndërhyrjeve unë kam përdorur dhe mënyra të tjera për të rënë në peshë, si dieta për shembull. Disa prej këtyre mënyrave i praktikoj edhe sot e kësaj dite dhe këtë e bëj jo sepse e kam kompleks peshën time, por thjesht të dukem akoma më bukur.
Raporti që keni me dukjen-aparencën tuaj? Ju shqetësojnë akoma kilogramet e tepërta?
Jo nuk më shqetësojnë fare. Për këtë gjë edhe konsumoj atë që më pëlqen, por shpesh mundohem që të kontrolloj peshën sado pak.
Që një femër të jetë tërheqëse, në radhë të parë duhet të ketë parasysh…?
Ajo që tek ne bie më shumë në sy është pamja e jashtme, linjat e bukura sigurisht që bien më shumë në sy dhe tërheqin. Një femër duhet të bëjë kujdes në to, por më e rëndësishme është që të ketë tru. Truri është ai që e bën një femër të përsosur. Le të jenë surprizë. Jam duke punuar për këngë të reja, të cilat janë duke u gatuar në disa studio muzikore dhe pres momentin e duhur për t’i lançuar. Ju them që të prisni pak.
Diçka për agjendën tuaj koncertore të kësaj vere?
Një agjendë shumë e ngarkuar. Muzika ime do të dëgjohet nëpër koncerte e mbrëmje muzikore që nga bregdeti shqiptar e deri në qytetet ku flitet shqip, pastaj dasma të ndryshme për disa miq të mi, të cilët duan që unë t’u këndoj në natën më të lumtur të tyre e kështu me radhë.





