As ambasada në Paris, as ministria e Jashtme nuk kanë reaguar për fatin e bashkatdhetarëve

 

LION, 11 korrik 2013 – Për organizatën humanitare franceze Médecins du Monde(Mjekët e Botës), “ka emergjence humanitare” për 180 azilkërkues shqiptarë, shkruajnë mediet franceze, por nuk ka reaguar Tirana zyrtare.

Shoqata i ka dërguar një letër të hapur prefektit  të Ronës (Rhône) Zhan-Fransua Karenko (Jean-François Carenco) dhe kryebashkiakut socialist të Lionit, Zherar Kolom (Gérard Collomb), lidhur me situatën e 180 azilkërkuesve shqiptarë.

Familjet me shumë fëmijë të mitur dhe gjashtë gratë shtatzëna, të cilët kanë janë strehuar në urën Kiçene (Kitchener).

"Është shumë vapë, vendi është shumë i ndotur. Dy gra nën urë janë gati për të lindur, fëmijët janë të dehidruar, – thotë një zyrtare e Médecins du Monde. – Kur shkon atje, të krijohet përshtypja se nuk je në Francë”.

Për të ndihmuar këta azilkërkues, shoqata u kërkon autoriteteve  të ndërhyjnë menjëherë dhe t’i dërgojnë azilkërkuesit për të fjetur në një vend në kushte higjienike.

Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u më 4 korrik 2013, nën mbikalimin në afërsi të stacionit Perrache në Lion u ngrit një kamp i improvizuar, duke iu referuar medieve franceze.

Skena është mjaft halucinante.

Nën mbikalimin, jo shumë larg nga stacioni Perrache Lyon (II) dhe autostradat A6 dhe A7, janë instaluar dyzet tenda.

 “Është skandaloze, shpërthen Michel Jouarre, zëvendëskryetar i këshillit të kuartallit, që ka ndjekur situatën për disa kohë. – Ky është një vend që nuk është pastruar asnjëherë, i cili dëmton së tepërmi shëndetin. Duhet të gjejmë zgjidhje më të afatgjatë, duke krijuar për shembull një qendër banimi të veçantë fillimisht për emigrantët”.

Bën përshtypje që as ambasada shqiptare në Paris, as ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk kanë reaguar për fatin e shtetasve shqiptarë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/