DURRES, 11 korrik 2013 – Dy mesfushorët e qendrës, Bledar Hodo dhe Albi Dosti, janë të bindur se skuadra e tyre do të bëjë një paraqitje dinjitoze në sfidën e sotme dhe do të kthehet në Durrës e kualifikuar.

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, mesfushorët Hodo dhe Dosti deklaruan se nuk i tremben kundërshtarit dhe shprehen të bindur se do të kthehen me një rezultat pozitiv nga Moldavia.
 

Hodo 

Hodo e ka konsideruar këtë përballje si një finale, ndërsa pohoi se Teuta nuk do të gabojë. “Jemi përgatitur gjatë për këto dy ndeshje me Dacian. Përballjen e parë në fushën tonë e fituam bindshëm, por që të presim biletën për të vazhduar më tej na duhet një tjetër ndeshje e madhe. Ne jemi shumë të motivuar dhe do ta luajmë këtë 90-minutësh sikurse të ishte një finale e vërtetë. Do ta kërkojmë kualifikimin dhe do përpiqemi ta marrim me të gjitha mënyrat. Teuta ka treguar edhe më herët se është një skuadër mjaft e fortë në transfertë, ndaj kemi besim se edhe nesër(sot) do të zhvillojmë një ndeshje të madhe dhe do të kualifikohemi për në raundin tjetër të Ligës së Europës. E respektojmë maksimalisht kundërshtarin, pasi është një skuadër e fortë, por nuk trembemi dhe do të tentojmë ta mundim edhe në shtëpi. Sa i përket kualifikimit, i cili është objektivi ynë, personalisht mendoj se ne e kemi prerë biletën që në sfidën e parë”, u shpreh mesfushori.
 

Dosti 

Mesfushori organizator Albi Dosti, në prononcimin e tij u shpreh se Teuta nuk e diskuton kualifikimin. “Ne jemi shumë të qetë, pasi në favorin tonë kemi rezultatin e ndeshjes së parë, i cili na ka sjellë shumë pranë kualifikimit. Punën më të madhe që kishim për të bërë në këto dy përballje e bëmë dhe tani duhet të luajmë me kujdes vetëm për të mbrojtur rezultatin. Ndonëse në futboll nuk mund të bësh parashikime, unë personalisht jam i bindur se sa i përket kualifikimit, ne e kemi zgjidhur, çka do të thotë se me pak kujdes jemi ne skuadra që do ta vazhdojë aventurën europiane. Ne do të përpiqemi që të mos biem në grackën e vendësve”, përfundon Dosti.

Magani: Nuk na lejohen gabime 

Një ditë më parë, në prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport”, trajneri i Teutës, Gugash Magani, në lidhje me përballjen e sotme ndaj Dacias, u shpreh: “Për ne kjo do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi kemi si synim kualifikimin në turin tjetër të këtij kompeticioni. Kemi një mundësi të artë, sepse në krahun tonë kemi një rezultat favorizues, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të jemi mjaft të kujdesshëm përgjatë gjithë ndeshjes. Në këtë sfidë nuk lejohen gabime, pasi mjafton një moment shpërqendrimi dhe gjithçka që kemi bërë deri tani hidhet në erë. Gjatë kësaj jave kemi punuar dhe kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për këtë ndeshje, ndaj kam besim se gjithçka do të shkojë mjaft mirë”, deklaroi në prononcimin e tij kreu i pankinës durrsake.

Turin tjetër përballë Odesës 

Nëse arrin të kualifikohet në turin e dytë të Ligës së Europës, Teuta do të përballet me skuadrën ukrainase të Çernomorets Odesës. Me këtë ekip luajnë aktualisht dy futbollistë të Kombëtares shqiptare, Elis Bakaj dhe Kristi Vangjeli. Durrsakët kanë një mundësi shumë të mirë që të mundësojnë një përballje shqiptarësh në turin e dytë të këtij kompeticioni. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani arriti të fitojë 3-1 ndeshjen e parë ndaj skuadrës moldave dhe sot do të synojë minimalisht që të menaxhojë këtë avantazh. Nëse kualifikohet, sfida e parë ndaj Odesës do të luhet më 18 korrik në Ukrainë dhe një javë më pas në Durrës takimi i kthimit.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kategoria-superiore/kualifikimi-vjen-nga-mesfusha-teuta-beson/#ixzz2YlDrVJh0