TIRANE, 11 korrik 2013 – Kryeministri në largim Sali Berisha reagoi sot përmes rrjetit social “Facebook” për nismën e kryetarit të PS-së Edi Rama për aplikimet online për punësim.
Berisha akuzon liderin e PS-së se ka hapur tenderin online për fshesën ndaj administratës dhe sektorit privat.
“Të dashur miq, në selinë mavi revansh i paparë. Pas hapjes së tenderit online për fshesën ndaj administratës, z.Rama njofton se konkurset për vendet e punës në administratë nuk kanë qenë të hapura (paçka se botoheshin në të gjitha mediat e kontrolluara prej tij), prandaj për t'i hapur ato ai ka vendosur që çdo njeri për të marrë pjesë në konkurse për punësim në administratë duhet më parë të aplikojë online dhe të presë biletën në selinë e PS. Por siç thotë fjala e urtë oreksi vjen duke ngrenë z.Rama njoftoi se fshesa e partisë do të fshijë (pastrojë) edhe sektorin privat, i cili së shpejti do të "ndihmohet" me aplikantët e "virtutshëm" online të selisë së PS. Kjo është lule. Prisni prisni tenderin e miellit. Aty deti bëhet jo kos por flori. Tepron edhe për ndonjë mik të çmuar që çmendet pas gjahut dhe trafiqeve! Ndryshim!! Me vrap drejt të shkuarës! Sb”- shkruan Berisha në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.
Kryetari i PS-së e njëherësh kryeministri i zgjedhur, Edi Rama ju përgjigj dje kritikëve që janë shprehur kundër aplikimeve online. Në një shënim të postuar në faqen e tij 'Edirama.al' dhe në
"Facebook", Rama sqaron se:
"Ne nuk po mbledhim CV për të ndarë vende pune por për ta bërë reale e transparente, marrëdhë-nien mes çdo individi të gatshëm për të kontribuar në sektorin publik dhe institucioneve në kërkim të njerëzve të duhur". "Fakti është se të gjithë ata që po aplikojnë do të njoftohen individualisht për çdo konkurs të hapur në sferën që lidhet me profesionin dhe eksperiencën e tyre. Në këtë mënyrë do të këpusim lidhjet e shkurtra të konkurseve farsë që janë zhvilluar tërë këto vite, përmes lajmërimesh në formën e trakteve të ngjitura kuturu dhe rezultatesh të parafabrikuara në dëm të lirisë së konkurrencës e të meritës", – shkroi dje, Rama.





