SHKUP, 11 korrik 2013 – Vendet e Ballkanit po bëjnë përparime të ndjeshme kundër tregtisë së paligjshme të kontrabandës së cigareve, por problemi i shkaktuar nga grupet e organizuara kriminale që merren me prodhimet e duhanit është larg nga zgjidhja, thanë ekspertë të cituar nga portali amerikan Southeast European Times.

“Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e të gjitha vendet në rajon kanë arritur suksese në kuftën kundër krimit të organizuar, që merret me trafikun e cigareve”,  tha Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

“Përpjekjet për të kontrabanduar cigare janë pakësuar sepse tani vijnë nga disa grupe individuale pa kapacitetin e mjaftueshëm e gjithashtu institucionet tona kanë një strategji të organizuar më mirë tani”, tha Trajanov.

Zyrtarë thanë se një metodë më e fuqishme ka rezultuar në arrestimin e punonjësve të policisë e të doganave të përfshirë në tregtinë e paligjshme.

Vitin e kaluar policia bullgare arrestoi një zyrtar të lartë të doganave të dyshuar për kontrabandën e 20 milionë cigareve në Serbi.

Policia serbe organizoi operacione të shumta që rezultuan në konfiskimin e 360,000 paketave me cigare kontrabandë transportuar nga Turqia këtë muaj.

Policia maqedonase tha se shkatërroi një grup të organizuar mirë ndërkombëtar të kontrabandës së cigareve nga Shqipëria e Kosova në Maqedoni e më tej në Bullgari.

“Anëtarët e grupit i depozitonin cigaret në depo në Shkup e zonat rrethuese apo në një strukturë depoje ndihmëse pranë kufirit maqedonas-bullgar që zotëronin”, tha Gordana Jankulovska, ministre e punëve të brendshme e Maqedonisë.

Pikërisht në kalimin kufitar Deve Bair me Serbinë, policia maqedonase konfiskoi gati 600 kuti me cigare kontrabandë në fillim të këtij muaji, me etiketat e taksave të Kosovës e Maqedonisë në to.

Shqipëria e Kosova tashmë janë prodhuesit më të mëdhenj të cigareve kontrabandë, sipas Vladimir Pivovarov, ish-drejtor i shërbimit informativ ushtarak të Maqedonisë.

“Është fakt se biznesi kryesor i cigareve kontrabandë realizohet nga mafia shqiptare. Nëse një ka dalje në det, ai përballet me rrezikun e hyrjes në territorin e tij të cigareve kontrabandë. Në të kaluarën, mijëra kuti cigaresh transportoheshin nga Mali i Zi në Itali me det nëpërmjet gomoneve”, tha Pivovarov.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/