TIRANË, 11 korrik 2013 – Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka përgënjeshtruar përfshirjen e saj në fushatën për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Topalli i bën thirrje demokratëve që të votojnë sipas ndërgjegjies së tyre, për liderin e ri që do i udhëheqë drejt fitores teksa i kërkon atyre të hedhin poshtët situatat e inskenuara nga kryesocialisti Rama.
“Të dashur miq! Duke marrë shkas nga përmendja e emrit tim në disa media të shkruara, të dirigjuara kryekëput nga Edi Rama, për përfshirjen time në fushatën për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike, dua të sqaroj opinionin publik dhe, vecanërisht demokratët, se ky është një mashtrim dhe trillim. E konsideroj të padenjë, të papranueshme dhe të ulët përdorimin nga kushdo të emrit tim. Ftoj demokratët të hedhin poshtë me përcmim insinuatat e stisura nga Edi Rama me mediat e tij.Ftoj demokratet të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për atë që besojnë se do t’i coje në fitore! “, shkruan zonja Topalli.





