TIRANË, 11 korrik 2013 – Zëdhënësia e kryeministrit Sali Berisha e ka cilësuar akt flagrant anti shteteror, tender për fshesë ndaj administratës, propozimin e kreut te PS-se, Edi Rama për aplikimet online për ata që duan ti bashkohen skuadrës për realizimin e programit për rilindjen.
“ Kjo është forma më staliniste e kontrollit të tregut të punës, është kazma në themelet e lirisë së këtij tregu. Për të justifikuar veprimin e tij, vendosjen me shpejtësi të sistemit gjobëvënës socialist, Z Rama deklaron se punëkërkuesit e përzgjedhur nëpërmjet Partisë Socialiste do ti ofrohen konkurseve te hapura që organizon administrata për vende pune sepse sipas tij më parë këto konkurse nuk kanë qenë të hapura dhe tani ai do ti bëjë më të hapura duke rekomanduar nga selia e PS pjesëmarrësit e këtyre konkurseve,” tha Mëhilli.
Sipas saj fshesa e partise nuk do të përfshijë vetëm administratën publike, por edhe punonjësit e sipërmarrjeve private.
“Plotësimi i vendeve të administratës është bërë gjithnjë vetëm pas publikimit të vendit të lirë në mediat shqiptare, përfshirë në të gjitha rastet edhe në mediat e kontrolluara nga z.Rama. Në plotësimin e vendeve në administratë padyshim ka patur dobësi dhe bërryla por nuk ka patur kurrë listë partie të dërguar në konkurset e organizuara. Me këtë rast, informoj shqiptarët se administrata shqiptare në vitin 2005 kishte vetëm 1% te punonjësve të saj të diplomuar në vendet perëndimore, ndërsa sot ka mbi 21 % të tyre të shkolluar në universitetet me të mira të këtyre vendeve. Të gjithë këta nuk kane ardhur në administratë nga listat e partisë, por kanë ardhur nga konkurset e hapura nga Departamenti i Administratës Publike për plotësimin e vendeve të lira të punës,” theksoi Mëhilli.





