TIRANË, 11 korrik 2013 – Shqipëria diplomon edhe ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Më 11 korrik 2013 paradite, në komandën e doktrinës dhe stërvitjes u zhvillua ceremonia e diplomimit të kursantëve që përfunduan kursin e lartë të oficerit dhe kursin e komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm për vitin akademik 2012-2013 në Akademinë e Forcave të Armatosura, njoftoi Ministria shqiptare e Mbrojtjes.
Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësministrat e Mbrojtjes, Ekrem Spahia dhe Arta Musaraj, komandanti i doktrinës dhe stërvitjes, gjeneral brigade Bardhyl Hoxha, përfaqësues të kompanisë amerikane CUBIC, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, drejtorë dhe autoritete të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA, familjarë të diplomuarve, etj.
Në fjalën e tij të përshëndetjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA Xhemal Gjunkshi ka theksuar “në auditorët e kësaj akademie janë arsimuar dhe kualifikuar gjatë këtij viti afro 800 pjesëmarrës në kurset institucionale e funksionale, kurset e gjuhëve të huaja, si dhe në kurset e masterit profesional, masterit shkencor dhe shkollës së doktoraturës”.
Këtë vit për herë të parë u realizuan në akademi dy stërvitje të asistuara me kompjuter në qendrën e simulimit në bashkëpunim me kompaninë CUBIC, si dhe stërvitja dyshkallëshe komando-shtabi.
Akademistët e kursit të lartë të oficerit filluan studimet më datën 17 shtator 2012 dhe është ndjekur nga 42 ushtarakë, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të RSH, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës së Republikës.
Kurrikula e këtij programi është ndërtuar në përputhje me kërkesat e Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë për të dhënë diplomën master i shkencave në fushën e sigurisë e mbrojtjes.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





