VLORE, 11 korrik 2013 – Banorët e Nartës në rrethin e Vlorës protestojnë për situatën e frikshme të mungesës së rendit dhe sigurisë në fshatin e tyre.
Në një prononcim për mediet, banorët thonë se shtëpitë e fshatit po grabiten e vidhen, madje nuk mungojnë as rastet e përdhunimeve.
Ata thonë se fshati banohet kryesisht nga gra e fëmijë, pasi shumica e burrave jetojnë në emigracion, çka e bën fshatin një shënjestër më të lehtë për krimin.
Kryeplaku i fshatit, Nasho Zoica, i cili e mban këtë detyrë prej 9 vjetësh, tha se kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme, të cilat i kanë përjetuar si vetë ata, edhe të afërmit e tyre.
Madje, një grua tregon edhe faktin, se nëna e saj e moshuar, është përdhunuar në banesë. Ata i bëjnë thirrje policisë të ndërhyjnë për të gjetur autorët.
Kryeplaku dhe banorët kërcënojnë se nëse nuk do të zgjidhet problem i sigurisë së tyre, do të bllokojnë rrugët me protesta. Ata thonë se për situatën e rëndë janë lajmëruar shpesh edhe autoritetet.
“Në fshatin tonë ditë për ditë ndodhin këto gjëra. Mua më erdhën për të më vjedhur dhe më vranë edhe burrin. Më e keqja është se veçse na vjedhin po na përdhunojnë motrat e nënat tona. Fshati ynë nuk e duron më këtë. Të ngrihemi të gjithë, gjithë burrat e Nartës, të merret ADN dhe nëse është ai person nga Narta të varet këtu në mes të fshatit. Sot i ndodhi nënës sime 82 vjeçare nesër do më ndodhë mua”, thotë një banore.
Ndërkohë, policia e Vlorës e ka hedhur poshtë pretendimin e banorëve të Nartës, duke u shprehur se nuk ka pasur denoncime masive.





