PIACENZA, 11 korrik 2013 – Një 19-vjeçare nga Shqipëria ka humbur jetën në orët e para të mangjesit të djeshëm në Itali në një aksident automobilistik.
Vajza shqiptare ka qenë duke udhëtuar në këmbë në errësirë, buzë rrugës.
Marsela Gega ka ndërruar jetë në spital, pas goditjes që ka marrë nga një motor rreth orës 02:30 në qytetin Piacenza.
Autori i dyshuar i ngjarjes është një 40-vjeçar, i cili u arrestua menjëherë nga policia Italiane.
Pas hetimeve rezultoi se ai ishte në gjendje të dehur gjatë kohës që drejtonte motorin model “BMW”.
Vajza shqiptare është dërguar me urgjencë në spital. Veç dëmtimeve dhe shembjeve në pjesë të ndryshme të trupit, asaj i ishte thyer një këmbë nga përplasja.
Ndërkohë që mjekët thanë se shembjet në pjesën e brendshme të trupit ishin më fatale për të.
Megjithë ndërhyrjen e mjekëve, 19-vjeçarja nuk ka arritur të mbijetojë. Zemra e saj ka ndaluar rreth 30 minuta pas mbërritjes në spital.
Gjatë hetimeve të policisë, rezultoi se personi që kreu aksidentin kishte konsumuar alkool, dy herë më shumë sesa norma e lejuar nga rregullorja e qarkullimit rrugor.





