TIRANË, 10 korrik 2013 – "Partia Demokratike duhet të nxisë karrierën brenda jetës së saj politike për të shmangur demotivimin e aktivistëve të saj", deklaroi sot në Koplik, Sokol Olldashi, gjatë fushatës për zgjedhjen e Kryetari të ri të Partisë Demokratike. 

Në bashkëbisedim me strukturat e Partisë në Malësinë e Madhe, Olldashi theksoi rëndësinë e ndërtimit të një baze të dhënash për kontributet e militantëve partiakë. 

"Ne kemi nevojë që strukturën e PD-së ta zhdërvjelltësojmë, tashmë jemi në opozitë. Nuk kemi më strukturë partie dhe strukturë admninistrate, kemi vetëm strukturat partiake të PD-së. Dhe çdo lëvizje e jona, cdo energji e jona duhet të përqëndrohet vetëm në strukturën e PD-së. Por kjo strukturë ka nevojë për disa përmirësime dhe përmirësimi bazik i saj ka të bëjë me inventarin e potencialit njerëzor", u shpreh Olldashi. 

Ai tha se "ne kemi nevojë që këtë palcë ta njohim emër për emër dhe ditë për ditë aktiviteti, sepse vetëm në këtë mënyrë, ne mundemi të jemi të drejtë , të dijmë cilët anëtarë kemi, cfarë kanë prodhuar dhe si u jemi përgjigjur ne atyre". 

Ndërkohë në një takim me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në Vau-Dejës, Sokol Olldashi deklaroi se me një përmirësim solid të strukturave të partisë dhe një aksion të fortë opozitar, Partia Demokratike do të rikthehet forcë e parë politike në vend, në përballjen e parë elektorale.