DURRËS, 10 korrik 2013 – Forcat Detare Shqiptare janë në gjendje të ndërmarrin operacione shpëtimi, sikurse ka ndodhur në mesnatën e 9-10 korrikut 2013, kur u arrit gjetja e një motobarke me turistë nga Mbretëria e Bashkuar.  

Komanda e Forcave Detare Shqiptare, me seli në Plepa Durrës ka njoftuar se ekuipazhi i anijes P-120 ka bërë të mundur gjetjen dhe shoqërimin në breg të dy turistëve me shtetësi britanike, të cilët rezultonin të humbur në det, prej orës 22.40 të 9 korrikut.

Pas marrjes së sinjalit nga Qendra Operacionale Detare e Pireut, për humbjen e kontaktit me tokën të një motobarke të nisur nga Kroacia me destinacion Korfuzin, Roja Bregdetare Shqiptare, ka zhvilluar një operacion intensiv kërkimi prej mëse 4 orësh, në rajonin Palermo-Himarë.

Dy turistët britanikë u lokalizuan dhe u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore rreth 10 milje larg bregut.

Info/

Roja Bregdetare varet nga Ministria e Mbrojtjes.

Për drejtimin e operacioneve të Rojës Bregdetare Shqiptare krijohet Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) në Plepa Durrës.

Në situata operacionale luftarake në kohë paqeje apo lufte, drejtimi e komandimi i Rojës Bregdetare Shqiptare bëhet nga autoritetet ushtarake.

Roja Bregdetare bashkëvepron me institucione dhe subjekte shtetërore ose private, që kanë interesa në det.

QNOD-ja ka detyrë organizimin, planizimin dhe drejtimin e të gjitha operacioneve detare, për kontrollin e zbatimit të legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar në det, kërkimin, shpëtimin dhe dhënien e ndihmës në hapësirën detare, duke përdorur, në mënyrë të integruar, të gjitha kapacitetet operacionale të disponueshme nga institucionet e përcaktuara.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/