DURRËS, 10 korrik 2013 – Forumi rrethor mesjetar i Durrësit është dëmtuar natën e kaluar nga disa keqbërës, të cilët kanë sharruar për skrap dy nga kangjellat rrethuese të monumentit në qendër të qytetit.
Objekti arkeologjik, i njohur me emrin “rotonda” ndodhet pas teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe ka nisur të degradojë prej disa vitesh edhe për shkaqe të tjera.
Grabitja e kangjellave për shitje si hekurishte është një akt vandal, thonë specialistët e arkeologjisë, sipas të cilëve tashmë vetë monumenti mund të dëmtohet edhe më lehtë.
“Janë marrë kangjellat që ndodhen në dy nga trotuaret më të shfrytëzuara nga qytetarët”, – tha një nga banorët e lagjes, sipas të cilit shpesh herë në mjediset e rotondës luajnë edhe fëmijë të moshave të ndryshme.
Forumi rrethor në qendër të qytetit pastrohet në mënyrë periodike, por ai nuk ruhet rregullisht me roje nga ana e drejtorisë rajonale të monumenteve për shkak të mungesës së fondeve.
Disa muaj më parë pjesa perëndimore e forumit mesjetar pësoi një rrëshqitje dherash për shkak të reshjeve dhe disnivelit që ka trotuari me sheshin e monumentit.
Monumenti nuk shmanget thuajse asnjëherë nga turistët vendas dhe të huaj, pasi ai mund të shihet nga të gjitha anët pa asnjë pagesë, dhe pallatet shumëkatëshe, që e rrethojnë e bëjnë edhe më ekzotike praninë e një sheshi 15-shekullor.
Info / Forumi rrethor (Forum macellum)
Pjesa e zbuluar është pjesë e një kompleksi më të gjerë ndërtimesh të shekujve V-VI pas Krishtit, i gërmuar nga Prof. Afrim Hoti.
Është e zbukuruar me kolona prej mermeri, që janë vendosur në largësi të barabartë nga njëra-tjetra.
Edhe dyshemeja ka qenë e veshur me pllaka të mëdha mermeri kristalin, duke i dhënë kompleksit një pamje të bukur.
Mbi shkallët në qendër të rotondës, duhet të ketë qenë një kolonë, ku dënoheshin debitorët, megjithëse ka studiues që mendojnë se këto shkallë formonin bazamentin e një monumenti.
Të tjerë mendojnë që ajo ka luajtur gjithashtu rolin e një baptisteri.
Nga mbetjet e gjetura ndërtesa ofron një kolonadë rrethore me rreze 18 m dhe kufizohet nga një hapësirë qendrore e shtruar me pllaka mermeri (disa prej të cilave kanë mbishkrime dhe monograme) në mes të të cilave gjendet një bazament tetëkëndor me gjurmë shkallësh (mbase për një statujë?) dhe një pus.
Menjëherë pas korridorit kolonadë gjendet një seri ambientesh me shpërndarje radiale e funksione prodhuese (edhe e tipit artizanat metalurgjik).
Në pjesën e zonës publike ndërtesa është e realizuar me mermer grek nga Prokoneso.
Ky mermer i importuar në Dyrachion kërkon një përpjekje ekonomike të jashtëzakonshme që vetëm një perandor mund ta realizonte (Anastasi I ose Justiniani).
/g. k. & th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





