DURRËS, 10 korrik 2013 – Në kalatat e portit të Durrësit gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti janë përpunuar 691 anije tregtare me 1 milion e 731 mijë tonë mallra të ndryshme, duke shënuar një rritje të përgjithshme prej 2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012, thuhet në një njoftim për shtyp të drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD).

Eksportet nga ky port kanë pasur një rritje prej 41 për qind, krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2012.

Kështu, gjatë këtyre 6 muajve nga Durrësi janë eksportuar afro 823 mijë tonë mallra, ndërkohë që janë importuar 903 mijë tonë mallra gjithsej.

Gjatë kësaj periudhe janë përpunuar afro 50 mijë kontejnerë me mallra ose 25 për qind më tepër se në 6-mujorin e parë të vitit paraardhës, thotë APD-ja.

Se ç’përmasa ka marrë transporti detar me kontejnerë, mjafton të përmendet fakti se në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2010 janë përpunuar 14.600 njësi kontejnerësh më shumë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/