TIRANË, 9 korrik 2013 – India dhe Shqipëria nënshkruan më 8 korrik 2013 në Nju Delhi marrëveshjen për shmangien e taksimit të dyfishtë, që do të lehtësojë shkëmbimin e informacionit bankar dhe do të ndihmojë në kontrollin e evazionit fiskal, njoftoi Ministria indiane e Financave, e cituar nga mediet vendase.

Marrëveshja përmban dispozita për shkëmbimin efektiv të informacionit midis autoriteteve tatimore të dy vendeve në përputhje me standardet më të fundit ndërkombëtare, përfshirë shkëmbimin e informacionit bankar.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetarja e Bordit Qendror të Tatimeve të Drejtpërdrejta në ministrinë e Financave të Indisë Sudha Sharma dhe ambasadori shqiptar në Nju Delhi Fatos Kërçiku.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/