TIRANË, 9 korrik 2013 – Qarku i Lezhës po mban peng rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, për shkak se KQZ nuk i ka miratuar ende tabelat përfundimtare.
Duke iu referuar realiconit që u diskutua sot në mbledhjen e KQZ përfaqësuesit ligjor të PD pretenduan se në 10 qendra votimi konstatohet se janë ndryshuar shifrat për disa subjekte politike, në favor të disa të tjerave.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti kërkoi të martën që Komisioni Zgjedhor të marrë një vendim për hapjen e 10 kutive të votimit të ZAZ-së nr. 13, qarku Lezhë, pas konstatimit për ndryshim të shifrave në tabelat e rezultateve për disa subjekte politike.
Diskutimi i rezultateve të qarkut Lezhë u shoqërua me debate të forta në mbledhjen e sotme të KQZ-së, pas konstatimit se për 10 QV, KZAZ nr. 13 ka dorëzuar fotokopjet e tabelave përfundimtare dhe jo ato origjinale. Në këtë situatë KQZ nuk mund të nxjerrë një rezultat përfundimtar për këtë qark, pasi ai nuk mund të dalë nga tabelat e fotokopjuara.
Në këtë kuadër z. Kosovrasti e cilësoi këtë situatë një ngjarje shumë të rëndë dhe një manipulim të shëmtuar dhe përgjegjësit duhet të përgjigjen ligjërisht .
"Ky manipulim ka ndodhur nga tre personazhe me detyrë në KZAZ-në nr. 13, kryetarja Alketa Hoxha, përfaqësuese e PS-së, që ka qënë dhe dorëzuese e materialit në KQZ, e shoqëruar nga sekretari i komisionit, Aleksandër Gjonmarkaj(PD) dhe nënkryetari Gjovalin Gjeloshi(PD). Këta të tre janë manipulatorë dhe duhet të jenë pjesë e një gjykimi që duhet të vazhdojë me vendimmarrjen e KQZ-së", u shpreh Kosovrasti.
Nga ky manipulim, vijoi ai, favorizohet subjekti PS dhe bashkë me të koalicioni i majtë. Përfaqësuesi i PD-së tha se nga informacioni i mbërritur elektronikisht në KQZ rezulton se shumatorja e votave për koalicionin e majtë në 248 QV të qarkut Lezhë është 38. 270 vota, ndërsa koalicioni i djathtë ka marrë 38.555, ose 285 vota më shumë se i pari.
Ndërkohë dje ky institucion miratoi me katër votat e anëtarëve të pranishëm, nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Tiranë dhe qarku Gjirokastër. Në zgjedhjet e 23 qershorit 32 mandatet e qarkut Tiranë u ndanë: 19 mandate për koalicionin e majtë dhe 13 mandate për koalicionin e djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”.
RELACIONI I KQZ: KONSTATOHET NDRYSHIM I SHIFRAVE NË 10 QV
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrtoi të martën pr/vendimin për nxjerrjen e rezultatit të votimit të zonës zgjedhore qarku Lezhë, i fundit që përmbyll dhe procedurën e miratimit të 12 tabelave përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Në aktin e paraqitur nga juristët e KQZ-së, kontatohet se në 10 qendra votimi të ZAZ-së nr.13, qarku Lezhë, janë ndryshuar shifrat për disa subjekte politike, në favor të disa të tjerave. Kjo sipas administratës zgjedhore krijon mospërputhje me rezultatet e pasqyruara nga Komisioni Zgjedhor në sistemin elektronik të të dhënave.
Akti i KQZ-së konstaton se në 10 qendra votimi KZAZ-ja nr. 13 ka dorëzuar fotokopjet e tabelave përfundimtare dhe jo ato origjinale. Në këtë situatë pr/vendimi i paraqitur nga administrata nuk ka bërë propozim konkret se si duhet të zgjidhet kjo situatë, por sipas saj rezultati përfundimtar nuk mund të nxirret nga tabela të fotokopjuara.
Sipas rezultateve paraprake, në qarkun Lezhë koalicioni i majtë "Aleanca për Shqipërinë Europiane", mori katër mandate, ndërsa koalicioni i djathtë "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim" fitoi tre mandate.





