·        Denoncimi i bujshëm: jashtë përdorimit skaneri dhe rezonanca, investim 6 milionë dollarë, kjo ndodh një vit e gjysmë pas instalimit

·        Pacientët dërgohen te “kioskat” private

DURRËS, 8 korrik 2013 – Jo më larg se një vit e gjysmë më parë, përmes reklamash të pafund u prezantua investimi prej 6 milionë dollarësh i CT (skaner-it) dhe MRI (rezonancës) në spitalin rajonal të Durrësit.

Me të drejtë, kishte vend për krenari, pasi për herë të parë vinin aparatura të tilla në Durrës, shkruan në “Dita” mjeku Aurel Voda.

Papritmas të dy aparaturat dalin jashtë përdorimit, duke i prerë rrugën gjithkujt që kishte prenotuar një ekzaminim falas dhe duke e përcjellë me “dashuri” drejt kioskave imazherike private, të cilave nuk iu ndodh asnjëherë asnjë aksident.

I shtyrë nga kjo çudi, thotë Voda, u nisa të pyes kolegë se pse ndodh ky fenomen vetëm në spitale shtetërore dhe asnjëherë në “kioskat” private?

Përgjigjja varionte nga “…po ti e di se si janë këto punë…” e deri te përgjigjja se duhen 250 milionë lekë shërbime në vit për mirëmbajtjen, thashetheme të përhapura me mjeshtëri nga ustallarët e propagandës së mafies “imazherike”, në mënyrë që të ngulitet në mendjen e të gjithëve se të dy aparaturat mund edhe të prishen të dy njëkohësisht dhe për më tepër ashtu si rastësisht.

Mjeku Voda shkruan se investimi prej 6 milionë dollarësh dhe barbaria që kish ndodhur me të, e kishin detyruar të hynte në Google dhe të kërkonte informacion për çmimet e shitjes së skanerëve dhe MRI-ve, por “rezultati ishte tronditës, të paktën, për mua”, thotë Voda.

Çmimi i një CT-je (skaneri) të ri varionte sipas markës, nga 140 mijë deri në 300 mijë dollarë dhe së bashku me dhomën tomografike, e cila përmbledh sistemin e kontrollit të lagështirës e temperaturës, materialin për absorbimin e rrezatimit radioaktiv nga muret e dhomës e deri në rrjetin elektrik, arrinte nga 400 dollarë minimalisht e deri në 1 milion dollarë maksimalisht.

Në qoftë se shtojmë edhe shpenzimet e transportit e montimit, të cilat nuk i kalojnë 50 mijë dollarët, shifra shkon nga 450 deri në 1milion e 50 mijë dollarë.

Është e sigurt që ministria nuk ka blerë variantin më të shtrenjtë (dyshohet se mund të jenë edhe të përdorura), por ne po llogarisim një variant të ndërmjetëm, pra diku te 750 mijë dollarë.

Tani le t’i rikthehemi logjikës së atij kolegut tim që duhen rreth 25 milionë lekë (250 mijë dollarë) në vit për mirëmbajtjen.

Një shifër e tillë do të thotë 33 për qind të vlerës fillestare, fenomen që nuk mund të ekzistojë, pasi nuk ka mall në botë që servisi të shkojë sa një e treta e çmimit të mallit!!!

Për mjekun “është më se e qartë se jemi përballë një situate abuzive e deri kriminale”.

Voda pyet se si ka mundësi që një kioskë imazherike private që nuk i bën 25 milionë lekë xhiro në vit nga skanerët, të bëjë shërbime mirëmbajtjeje po 25 milionë, pasi duhet t’i bëjë këto shërbime meqë nuk prishen kurrë? Sepse kemi të bëjmë me një sistem të kalbur dhe që stimulohet me të gjitha mënyrat drejt dekompozimit të mëtejshëm.

Zinxhiri i abuzimit fillon që me “investimin” prej 6 milionësh, që me prishjen e të dy aparaturave, që me sistemin e kioskave imazherike e deri me propagandën, e cila, jo vetëm i ka bllokuar të tashmen pacientit të zakonshëm, por kërkon t’i humbë edhe shpresën e besimin se këto gjëra mund të rregullohen, se sistemi shëndetësor nuk mund të jetë kurrë falas e njëkohësisht cilësor, se privati është i fuqishëm e të “thyen” kokën etj.

Më poshtë po ribotojmë tekstin (e mbushur me gabime shtypi dhe drejtshkrimore, siç duket, të shkruar nga ndonjë analfabet funksional me arsim të lartë) mbi shërbimin e imazherisë, por që nuk përmend faktin e prishjes së aparaturave.

Info

Sipas sajtit të spitalit rajonal të Durrësit, shërbimi i imazherisë përbëhet nga një staf aktual prej 4 mjekësh specialistë në radiologji që mbulojnë këtë shërbim dhe një mjek specialist gastroenterolog që mbulon ekzaminimet endoskopike që janë brenda shërbimit të imazherisë.

Stafi i shërbimit të imazherisë plotësohet me 9 teknikë laborantë rëntgeni, 3 infermiere dhe 1 sanitare.

Organizimi i shërbimit imazherik mbulohet 24 orë duke përfshirë atë për pacientë të spitalit, ambulatore dhe urgjencën.

Ky sektor ka qenë funksional dhe aktiv që në krijim të spitalit dhe ka pasur një ecuri pozitive gjatë viteve.

Pasqyra e imazherisë

1. Përmirësimi i logjistikës me aparatura të teknologjisë bashkëkohore në radiologjinë diagnostike dhe ekografi.

2. Futja e mamografisë dhe eko-s së gjirit për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

3. Organizimi i shërbimit të imazherisë së urgjencës duke mundësuar shërbimin imazherik 24 orë.

4. Ngritja e vazhdueshme tekniko-profesionale e stafit me pjesëmarrje aktive në konferenca seminare dhe trajnime profesionale.

5. Implementimi së shpejti me aparatura imazherike bashkëkohore: CT (skaneri) dhe IRM (rezonanca magnetike) do të shtojë gamën e ekzaminimeve imazherike dhe do të rrisë cilësinë diagnostikuese.

Aktualisht shërbimi imazherik funksionon në dy qendra të ndara në godinën e kirurgjisë dhe atë të pediatrisë.

Në aparaturat aktuale imazherike të disponueshme përfshihen tri aparatura radiologjie të instaluara përkatësisht 2 në kirurgji dhe 1 në pediatri.

3 aparatura ekografie dy prej tyre të vendosura në kabinetin e ekografisë në godinën e kirurgjisë dhe një në pediatri.

Aparatura e mamografisë digjitale dhe aparatura e ekografisë së gjirit janë të instaluara në kabinetin e mamografisë.

2 aparatura për ekzaminime endoskopike të instaluara në kabinetin e endoskopisë ku njëra prej tyre është aparature e re.

Vetëm gjatë vitit 2010 shërbimi i imazherisë ka realizuar rreth 12 000 radiografi, 5000 radioskopi, 8000 ekzaminime ekografie.

Diagnozat më të shpeshta të hasura gjate këtyre ekzaminimeve janë bronkopneumonitë, obstruksionet intestinale, apandesitet akute, holechistitet akute, ulçerat gastrite, adenopatitë e gjirit etj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/