SARANDE, 8 korrik 2013 –  "Ethet e floririt" dhe ato të pasurimit pa punuar kanë bërë që nga persona ende të paidentifikuar, një i vdekur të zhvarroset vetëm 24 orë pas varrimit. Kështu ka ndodhur me trupin e të ndjerit Thanas Kaça, nga fshati Shkallë i komunës së Xarrës. Petro Kaça, vëllai i të ndjerit, thotë se kanë mbetur dy herë të tronditur nga ajo që ka ndodhur.

"E kemi përjetuar si vdekje të dytë të vëllait tonë. Kur vajtëm të nesërmen e varrimit për të bërë homazhet tek varri i freskët sipas zakonit, e kemi gjetur trupin të nxjerrë mbi tokë. Na shkoi mendja për grabitje dhe pamë që i kishin marrë zinxhirin e floririt dhe unazën", shprehet i shokuar vëllai i viktimës. 

Thanas Kaça, 49 vjeç u nda nga jeta, për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme, duke qenë në emigracion në Greqi. Përcjellja e tij për në banesën e fundit u bë me nderime e pjesëmarrje të gjerë, jo vetëm nga familjarët e mbetur në hidhërim, por edhe nga qindra fshatarë nga e tërë komuna, që i bënë respektin e fundit 49-vjeçarit. Familjarëve të tronditur u është dashur të njoftojnë policinë e Sarandës për atë që ka ndodhur në varrezat publike të zonës.

Ato gjenden buzë liqenit të fshatit Mursi, ku varrosen edhe të vdekurit nga fshati Shkallë, i krijuar nga ngulimet e barinjve vllehë që shtegtonin bagëtitë dekada më parë. Në vendngjarje kanë shkuar ekspertët që kanë marrë provat e vlefshme për procesin hetimor dhe kanë nisur hetimet.

Mendohet se autorë të kësaj ngjarjeje të kenë qenë një grup, që kanë parë ose janë informuar se në banesën e fundit të ndjerit i janë vendosur edhe varësja e floririt e unaza, të cilat, sipas familjarëve, ishin rrëmbyer.