TIRANE, 7 korrik 2013 – Dritan Dajti nis rrëfimin. Një rrëfim i trishtë, drithërues, por edhe i frikshëm. I frikshëm për të vërtetat e hidhura që ka në brendinë e tij. Njeriu që po mban “peng” drejtësinë shqiptare, ia hedh fajin pikërisht kësaj të fundit për zvarritjen e procesit gjyqësor ndaj tij. Dajti kishte heshtur deri më tani, por përmes një interviste për “GSH”, tregon vetëm disa aspekte të masakrës së 7 gushtit 2009 në Durrës.

Këmbëngul se nuk e ekzekutoi ai Saimir Duçkollarin, por kolegu i tij polic. E mandej, si kurrë më parë, thotë se në ‘kutinë e tij të Pandorës’, nuk përfshihet politika, por të vërteta edhe më të tmerrshme, se ato që ka thënë deri më tani, që mesa duket lidhen ngushtësisht me policinë dhe klanet brenda saj.

“’Kutia e Pandorës’ nuk ka të bëjë me politikën. Madje nuk ka të bëjë as me Agron Kuliçin sikurse mendoni ju në media apo ndonjë klan i caktuar në policinë e Shtetit”, shprehet Dajti. Ai nuk preferon të flasë shumë gjatë për masakrën e Durrësit, apo për jetën e tij jashtë dhe brenda qelive. Mes të tjerash nuk preferon të thotë asgjë për lidhjet në politikë dhe biznes. Premton se do të rrëfehet më vonë, se tani vetëm sa i ka hequr kapakun “Kutisë së Pandorës”… 
 

Z.Dajti, prej afro një viti e gjysmë nuk zhvillohet më asnjë seancë gjyqësore ndaj jush. Çështja ka hyrë në kolaps dhe duket sikur drejtësia është e pafuqishme për ta zgjidhur ngërçin e krijuar. Përtej asaj që duket, mund të na thoni ç’po ndodh realisht, pasi jeni ju protagonisti kryesor? 

Ngërçi apo bllokimi i këtij procesi gjyqësor filloi pasi gjykata vendosi që të përjashtonte gjyqtaren Nertina Kosova, sepse ka dhënë vendime të njëanshme të favor të prokurorisë. Por të gjitha vendimet dhe urdhrat e gjykatëses Nertina Kosova, që deri në atë moment ishte edhe kryesuese janë në fuqi dhe të vlefshme. 
Ngërçin e ka krijuar gjykata dhe është gjykata që ka të drejtën për të marrë vendime. Megjithatë gjykata vepron me kokëfortësi duke rrëzuar të gjitha kërkesat e të pandehurit dhe të avokatit të tij dhe deri më tani ka pranuar të gjitha kërkesat e prokurorit. 
 

Përse sipas jush gjykata dhe administrata po e zvarrit procesin. Cili është interesi i saj? 

Ka disa arsye që gjykata e zvarrit procesin, megjithatë gjykata i ka të gjitha mundësitë që këtë proces gjyqësor ta nxjerrë nga ngërçi. Mund t’ju marr si shembull rastin kur bashkë të pandehurit Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muçaj, pasi u gjykuan nga një tjetër trup gjykues arritën që ta mbaronin procesin gjyqësor ndaj tyre për një muaj, kur të njëjtin proces gjyqtarët që me gjykojnë mua, nuk arritën ta mbarojnë as për tri vite për këta dy të pandehur. 
 

Të gjithë avokatët e caktuar kryesisht nga Gjykata e Krimeve të Rënda refuzojnë t’iu marrin në mbrojtje, apo në raste të tjera nxjerrin justifikime nga më të ndryshmet, për të mos u paraqitur në gjykim. Mos lidhet kjo me faktin se çështja juaj konsiderohet si “patatja e nxehtë” e drejtësisë? 

Unë mendoj që avokatët e caktuar kryesisht nga Gjykata e Krimeve të Rënda respektojnë dinjitetin dhe profesionalizmin e tyre, kur nuk duan të noterizojnë manipulimet që ka bërë prokuroria dhe vazhdon ti bëjë gjykata. Nuk besoj që ndonjë avokat i ndershëm dhe jurist i zoti do të pranonte të bëhej pjesë e këtyre manipulimeve. 
 

Shpesh në seancat e fundit ju keni përmendur “Kutinë e Pandorës”. Çfarë ka brenda asaj kutie që sipas jush do tronditë shumë sikurse këmbënguli ju? 

‘Kutia e Pandorës’ nuk ka të bëjë me politikën. Madje nuk ka të bëjë as me Agron Kuliçin sikurse mendoni ju në media apo ndonjë klan i caktuar në policinë e Shtetit. 
 

Seancën e fundit, ju folët në Gjykatën e Krimeve të Rënda për vrasjen e Saimir Duçkollarit, duke akuzuar direkt kolegun e tij, F. G., si autor të krimit. Përse vendosët të flisnit tani dhe a keni prova për të vërtetuar këtë që pretendoni, çka në fakt ju lehtëson disi pozitën? 

Po si sjell si fakt aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr.318 të datës 12.08.2009, lidhur me vrasjen e Saimir Duçkollarit meqë nga prokuroria, por edhe nga F.G, pretendohet se ekspertiza ka nxjerrë se vrasjen e ka kryer Dritan Dajti. Ky akt ekspertimi ka arritur në konkluzionin se: Saimir Duçkollari ka vdekur jo nga një qitje e vetme; drejtimi i qitjes ka qenë i kundërt; distancat e qitjes në trupin e Saimir Duçkollarit kanë qenë të ndryshme; shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e plagëve në kokë dhe pas shpine; diametri i vrimës së hyrjes së predhës që është gjetur në parakrahun e dorës së djathtë të S.Duçkollarit ishte 1 cm. Ndërsa diametri i vrimës së plagës në shpinë është 0.8 cm. Duke i bashkangjitur këtij akti ekspertimi edhe aktet e ekspertimit balistik të armëve HS 2000 që prokurori pretendon se ka qenë e Dritan Dajtit, por edhe të armës kallashnikov që ka patur F.G në vendngjarje, do shikojmë që pistoleta HS 2000 bën qitje me fishekë col 9 mm dhe një predhë e kësaj arme është gjetur në dorën e Duçkollarit. 

Vlen të theksohet fakti që ekspertët nuk përcaktojnë që plaga në dorë e shkaktuar nga qitja e pistoletës HS 2000 t’i ketë sjellë vdekjen Saimir Duçkollarit. Në këto kushte plaga e shkaktuar në shpinë me diametër 0.8 cm nuk mund të shkaktohet nga armë të kalibrit 9mm. F.G duhet të merrej i pandehur nga prokurori që më datë 8 gusht 2009 kur ai ka deklaruar në prokurori se ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të derës së pasme të ‘Tuaregut’ në momentin që Saimir Duçkollari hapi derën e pasme të ‘Tuaregut’. 
 

Oficeri Gashi ka dëshmuar në gjyqin ndaj jush në një seancë me dyer të mbyllura. Na flisni për përballjen tuaj? 

Nëse F.G kërkon të ballafaqohet me mua atëherë në seancën e ardhshme të paraqitet në gjykatë, sepse do jem unë që do t’i kërkoj gjykatës që ta bëjë këtë ballafaqim edhe nëse nuk do të kem avokat mbrojtës. Kam bindjen se F.G nuk do të vijë në gjykatë, sepse do të dalin të vërteta edhe me të frikshme sesa ato që unë kam deklaruar apo do të deklaroj. Deri më tani prokuroria apo F.G nuk janë në gjendje që të tregojnë ato prova shkencore që të hedhin poshtë pretendimin tim.