· Ekskluzive e “Dyrrah”-ut/ Kështu u identifikua M. K., 10 vjeçe rome nga “NISH-Tulla” e paregjistruar në Gjendjen Civile; familja e saj, e përbërë nga dy prindërit dhe gjashtë fëmijë, jetonte në kushte të mjerueshme, johigjienike dhe nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për rritjen e saj
DURRËS, 6 korrik 2013 – Fëmijët romë të “NISH-Tullës” nën kujdes ndërkombëtar, “Dyrrah”-u përgatiti një “udhëtim” virtual në një botë pak aspak të njohur.
Në “vendin e shqiponjave” shumë fëmijë u nënshtrohen të gjitha llojeve e tipave të dhunës: fizike, psikologjike ose seksuale. Lajme nga terreni flasin për akte abuzimi që shpesh fshihen dhe nuk raportohen asnjëherë. Lidhur me këtë problem, këtë vit organizata ndërkombëtare humanitare Terre des hommes (Tdh) ka filluar fazën e dytë të projektit për krijimin e një rrjeti të mbrojtjes së fëmijëve në luftë kundër trafikimit dhe formave të tjera të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit dhe shpërfilljes, njofton agjencia e lajmeve Reuters.
Bashkimi Evropian dhe aktorë të tjerë që lidhen me këtë problem kanë vënë në dukje se në Shqipëri ekzistojnë strategji të luftës kundër këtyre abuzimeve, por që ato nuk janë zbatuar në mënyrë korrekte. Pavarësisht progresit të bërë gjatë viteve të fundit – në veçanti ligji i ri për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve që përfshin mekanizma institucionalë që merren me rastet e abuzimit – strukturat që duhet të reagojnë në raste abuzimi, nuk mbrojnë fëmijët më të rrezikuar, mes tyre fëmijë romë apo egjiptianë, shkruan Reuters-i.
Për Tdh-në përpjekjet që po bëhen nënkuptojnë bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore dhe qendrore. Ekipet e terrenit dëshirojnë rritjen e përpjekjeve për forcimin e promovimit dhe mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve. Për të arritur këtë, në fillim të javës nisi faza e dytë e “Zhvillimit të një rrjeti sigurie për mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri”.
NJË QASJE PËR MIRËQENIEN E FËMIJËVE
Më 2009-2012 faza e parë e projektit u mundësoi më shumë se 13 000 fëmijëve të merrnin asistencë dhe i dha një nxitje rritjes së numrit të fëmijëve të identifikuar dhe pastaj të asistuar nga shërbimet ndryshme të mbrojtjes. Ajo gjithashtu çoi në një kuptim më të madh të standardeve dhe procedurave qendrore nga autoritetet vendore.
Pjesa e dytë e këtij projekti synon bashkërendim me ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në reformën e shërbimeve sociale. Në bashkëpunim me UNICEF-in dhe SDC-në (departamenti Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim), Terre des hommes synon të zhvillojë dhe, gjatë një periudhe më të gjatë kohore, institucionalizimin e strukturave, mekanizmave dhe kompetencave, të nevojshme për sigurimin e reagimeve të koordinuara midis autoriteteve dhe aktorëve të ndryshëm, si dhe përfshirjen drejtpërdrejtë të fëmijëve në luftën për mbrojtjen e tyre kundër të gjitha formave të, neglizhencës, abuzimit dhe shfrytëzimit.
Faza e dytë e projektit, e cila filloi në janar 2013, do të vazhdojë deri në fund të vitit 2015 në pesë qarqe të Shqipërisë: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Korçë, dhe duhet të përfitojnë 5 000 fëmijë dhe 500 punëtorë profesionistë.
PËRTEJ SHIFRAVE, PRITEN KËTO REZULTATE KONKRETE:
Identifikimi i viktimave-fëmijë në komunitetet më të rrezikuara dhe ndërgjegjësimi i pjesëtarëve të këtyre komuniteteve lidhur me pasojat e trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve;
Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të kujdesit ndaj fëmijëve duke ofruar kurse trajnimi për njerëzit që janë në gjendje të zbulojnë fëmijë, të cilët po keqtrajtohen (shërbime sociale, personel arsimi, punonjës policie, shërbime shëndetësore dhe organe gjyqësore);
Forcimi i mbrojtjes për fëmijët, të cilët nuk marrin kurrfarë mbështetjeje nga familjet e tyre dhe që janë më të cenueshëm përballë trafikimit dhe shfrytëzimit;
Zbatimi i politikave të mbrojtjes së fëmijëve sipas legjislacionit shqiptar dhe respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që janë ratifikuar nga Shqipëria.
NJËSITË PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE
Ngritja dhe funksionimi i njësive për mbrojtjen e fëmijëve po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, jo vetëm se i përgjigjet kërkesave të Ligjit 10 347, “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve”, por edhe sepse tashmë konsiderohet si një strukturë e shërbimeve sociale që ofron shërbime dhe koordinon përpjekjet për parandalimin dhe mbrojtjen më të mirë të fëmijëve nga abuzimi, dhuna, shpërfillja, shfrytëzimi, trafikimi etj.
Deri më sot Shqipëria numëron rreth 1251 Njësi për Mbrojtjen e Fëmijëve të ngritura në nivel vendor, në bashki dhe komuna. Respektivisht këto njësi i gjejmë në bashkitë e Durrësit, Fierit, Kuçovës, Beratit, Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, në Njësinë Bashkiake Nr. 4 dhe Nr. 9 në Tiranë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Peshkopi, Kukës dhe Shkodër. Ndërsa në nivel komune, ato janë ngritur në komunat Balldre, Kolsh, Zejmen të rrethit Lezhë, Kurbin (Milot), Dermenas, Levan (Fier), Qendër, Novoselë (Vlorë), Tomin (Dibër), Shirgjan, Gjinar, Papërr, Shushicë (Elbasan), etj.
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me UNICEF, ADA (Austrian Development Agency) e donatorë të tjerë kanë mbështetur organizatat e shoqëria civile si Terre des hommes, Save the Children, Partnerë për Fëmijët, Alb-aid, World Vision Albania në aktivitetin që ato kanë ndërmarrë për ngritjen dhe funksionimin e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve në bashki dhe komuna. Këto nisma kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë gjithashtu një mundësi shumë e mirë burimore për të krijuar ekspertizë profesionale dhe për të identifikuar praktikat e mira në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe në promovimin e mirëqenies së tyre.
Info
Terre des hommes(Toka e njerëzve) është një federatë ndërkombëtare humanitare bamirëse, e cila merret kryesisht me të drejtat e fëmijëve, u themelua në vitin 1959, me seli në Lozanë, Zvicër. Terre des hommes organizon fushata për marrëdhënie më të barabarta mes vendeve të hemisferave veriore dhe jugore, pa diskriminim racial, fetar, politik, kulturor apo seksual.
Disa organizata të pavarura të bashkëjetojnë nën emrin e Terre des hommes dhe punojnë së bashku nën kujdesin e Federatës Ndërkombëtare të Terre des hommes (IFTDH). Organizatat e ndryshme kombëtare të Terre des hommes u takuan në vitin 1966 për të formuar Federatën Ndërkombëtare të Terre des hommes, me seli në Gjenevë. Aktualisht,në Federatë bëjnë pjesë 11 organizata në Danimarkë, Gjermani, Francë, Itali, Kanada, Luksemburg, Holandë, Zvicër, Spanjë dhe Siri.
NË SHQIPËRI
Terre des hommes(Tdh) është një nga organizatat që ka dhënë kontributin e saj në ngritjen dhe funksionimin e 10 Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve, 9 prej tyre të ngritura në bashki dhe 1 në komunë. Organizata nisi punën e saj në Shqipëri në vitin 1993 duke zbatuar një sërë projektesh që kanë të bëjnë me probleme të mbrojtjes së fëmijëve. Duke ndërtuar mbi praktikën dhe suksesin e projektit të mëparshëm TACT2, i cili arriti rezultate të qenësishme në adresimin e trafikimit të fëmijëve shqiptarë drejt Greqisë, tashmë fokusi i aktiviteteve të Tdh në Shqipëri është zhvendosur drejt ndërtimit të një Rrjeti për Mbrojtjen e Fëmijëve (njohur ndryshe si “Projekti CPSN”). Ky projekt kontribuoi në ngritjen dhe zhvillimin e një sistemi gjithëpërfshirës funksional për mbrojtjen e fëmijëve, ku njësitë për mbrojtjen e fëmijëve janë strukturat bazë institucionale të vendosura në nivel vendor dhe ku aktorë të disiplinave të ndryshme dhe komunitetet lokale informohen, fuqizohen dhe ndërmarrin aktivisht masat dhe ndërhyrjet e duhura për mbrojtjen e fëmijëve.
Fakte nga “NISH-Tulla”
ARSIMIMI
Anëtarët e GKK-së (grup i këshillimit të komunitetit) ishin entuziastë në lidhje me rolin e tyre në trajnimin e prindërve dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit. Ata mendonin se ishte fuqizuar roli i tyre në komunitet dhe vërenin faktin se familjet po vinin te ta për ndihmë si shenjë pozitive për mbrojtjen në rritje të fëmijëve. “Pasi u trajnuan po përpiqemi të trajnojmë pjesëtarë të komunitetit dhe konstatojmë përparim. Në fillim nuk na njihnin, tani e dinë kush jemi. Ne jemi një pikë kontakti dhe familjet e dinë se mund të ndihmojmë fëmijë. Ata vijnë te ne”, thanë anëtarë të KKG-së së Nish-Tullës. U raportua se 100 për qind e familjeve të përfshira në aktivitete për krijim të ardhurash kanë fëmijë që shkojnë në shkollë, dhe se të ardhurat e krijuara lidhen drejtpërdrejt me aftësinë dhe gatishmërinë e familjeve për të dërguar fëmijët në shkollë. Nëpërmjet trajnimit të komunitetit ideja është përforcuar me seminare mbi rëndësinë e arsimit.
TAVOLINË E RRUMBULLAKËT
Tavolinë e rrumbullakët e Grupit të Këshillimit të Komunitetit me përfaqësues të pushtetit vendor, “NISH-Tulla”
Gjatë tavolinës së rrumbullakët me përfaqësues të pushtetit vendor në Durrës u ngrit problemi i mungesës së librezave shëndetësore për fëmijët romë dhe anëtarët e rritur të këtij komuniteti. Në takim u sqarua se personat mbi 18 vjeç që janë të papunë, duhet të regjistrohen në Zyrën e Punës si punëkërkues, të marrin një vërtetim si të regjistruar në këtë zyrë dhe më pas të pajisen me librezë shëndetësore. Gjithashtu u sqarua se nxënësit e shkollave, personat që kryejnë shërbimin ushtarak ose studentët mund ta marrin librezën shëndetësore pa qenë nevoja që të regjistrohen si punëkërkues.
Rekomandime nga takimi
Nevoja e takimeve më të shpeshta mes anëtarëve të Grupit të Këshillimit të Komunitetit dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor;
Bashkëpunim më i ngushtë me ndërlidhësit e komunitetit që janë punonjës të pushtetit vendor;
Ndjeshmëri më e lartë ndaj problematikave të komunitetit rom;
Përfshirja e Grupit të Këshillimit të Komunitetit në hartimin e planeve të përbashkëta të veprimit me pushtetin vendor në dobi të komunitetit rom;
Rezultati
30 fëmijë të komunitetit rom në “NISH-Tulla” u pajisën me libreza shëndetësore;
70 anëtarë të komunitetit rom u pajisën me libreza shëndetësore;
Rritje e bashkëpunimit mes Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe Grupit të Këshillimit të Komunitetit;
M. K., 10 VJEÇE ROME, E PAREGJISTRUAR
M. K., 10 vjeçe nga komuniteti rom i “NISH-Tullës u identifikua nga Grupi i Këshillimit të Komunitetit si e paregjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile. Familja e saj, e përbërë nga dy prindërit dhe gjashtë fëmijë, jetonte në kushte të mjerueshme, johigjienike dhe nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për rritjen e saj. E ëma e vajzës ishte e sëmurë dhe nuk mund t’i ofronte asaj përkujdesjen e duhur, ndërsa babai bënte punë të rastit që nuk i sillnin familjes të ardhura të qëndrueshme.
Hapat
Grupi i Këshillimit të Komunitetit e referoi rastin në institucionin e shërbimit shoqëror rezidencial në qytetin e Durrësit dhe ndoqi hapat e mëposhtëm:
Bashkëpunoi me prindërit e vajzës për të mbledhur dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin e vajzës në Zyrën e Gjendjes Civile;
Bashkëpunoi me drejtuesen e institucionit të shërbimit shoqëror rezidencial për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ta strehuar vajzën në këtë institucion;
Bashkëpunoi me Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijës për të ndihmuar nënën për blerjen e ilaçeve;
Bashkëpunoi me fondacionin “Nehemia” për t’i përfshirë dy fëmijët e tjerë të familjes në qendrën e saj ditore, ku të hanin një vakt falas;
Vështirësi të hasura:
– nivel i ulët besimi i prindërve në bashkëpunimin me institucionet lokale;
– nivel i ulët informacioni i prindërve për shërbimet e ndryshme të ofruara në komunitet;
– mungesë koordinimi midis aktorëve të ndryshëm lokalë, të përfshirë në mbrojtjen e fëmijëve;
– mungesë e shërbimeve të tjera alternative në ndihmë të familjeve dhe të fëmijëve;
KANË THËNË
Emiljano Elmazi,Grupi i Këshillimit të Komunitetit, “NISH-Tulla”, Shkozet:
“Pjesëmarrja në Grupin e Këshillimit të Komunitetit më ndihmoi të zhvilloj jo vetëm aftësitë komunikuese, ndërmjetësuese e organizuese, por edhe të përmirësoj njohuritë mbi shërbimet e ofruara në komunitet. Në fillim, më vinte turp të flisja para të tjerëve, pasi nuk kisha shprehi dhe arsimin e duhur. Por me njohuritë e marra gjatë trajnimeve të vazhdueshme u aftësova të flas para të tjerëve dhe të organizoj aktivitete të ndryshme. Përvoja e fituar më ndihmoi të punësohem në një shoqatë rome dhe të promovoj modelin e punës së Grupit të Këshillimit të Komunitetit, duke vendosur ura bashkëpunimi midis tyre, për të organizuar aktivitete të përbashkëta për ndërgjegjësimin e komunitetit për pajisjen e fëmijëve me libreza shëndetësore dhe vaksinimin e tyre”.
Meme Xhaferraj, shefe e shërbimeve sociale në bashkinë e Durrësit:
“Ndryshimet ligjore nuk mbështeten nga buxhetet. Është e vështirë të zbatohen aktet normative në nivel vendor; aplikim është shumë se sfidë. Mungesa e buxhetit dhe mungesa e koordinimit e bën të vështirë”.
Një fëmijë tha:
“Edhe pse shkolla është afër, rrugët nuk janë të mira, nuk ka rregulla trafiku, ne nuk kemi ku të luajmë dhe mjedisi nuk është i pastër dhe i shëndetshëm” (shkolla “Isuf Ferra”, Durrës).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





