TIRANE, 6 korrik 2013 –E ndërsa procesi zgjedhor po shkon drejt përfundimit, ku certifikimi me shumë gjasa do të kryet në Kolegjin Zgjedhor, disa nga aktorët kryesorë që u morën me organizimin e zgjedhjeve, japin vlerësimet e tyre. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ Genci Gjoncaj, thotë se nëse vazhdohet me këto ritme rezultati përfundimtar do të dalë në 15 korrik. Gjoncaj kritikon edhe rolin e KQZ-së duke thënë se nuk arriti të shkëputej nga ndikimi politik. 

“KQZ me 4 anëtarë e ka të pamundur të shpërndajë mandatet. Dhe kërkon një minimum një shumicë të cilësuar. Ky ngërç mund të zgjidhet duke u bazuar në kodin zgjedhor , kur KQZ s’mund të marri vendim , do jetë kolegji zgjedhor që do bëjë vendimmarrjen. Besojmë se nëse do ecim në këtë terren, rreth datës 15 korrik të kemi një rezultat të shpallur. Unë kam debatuar vazhdimisht edhe me kryetaren e KQZ, institucion që zërin e opozitës e ka të vështirë ende për ta dëgjuar. Por unë kam qenë i interesuar për procesin zgjedhor. Në vështrimin tim zgjedhjet kanë vuajtur nga mungesa e konsensusit e mendimit teknik. Edhe kësaj radhë KQZ nuk arriti të dalë mbi urdhërimin që i është bërë, nga politika , pra u bë palë në atë pjesë të procesit. Do bëjmë të pamundurën që vështirësitë e ndodhura ndaj opozitës së djeshme të mos përsëritën , ndaj opozitës së sotme.”- përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjoncaj. 

Ilirjan Muho që më parë ka qenë anëtar i propozuar nga LSI në KQZ, tashmë përfaqësues ligjor i saj, argumenton se merita që procesi zgjedhor në tërësi shkoi në mënyrën e kërkuar erdhi për shkak të votës së qytetarëve, dhe jo për rolin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Muho gjithashtu sqaron se Lëvizja Socialiste për Integrim po mbledh prova për të ankimuar rezultatin zgjedhor në qarkun e Kukësit. 

“KQZ duhet të përpilonte tabelë përfundimtare të rezultatit. Jemi të shqetësuar për vonesën e rezultatit. Dhe tabelat kanë ardhur këtu dhe KQZ duhet të miratonte tabelën. Dhe me pas partive u lind e drejta për procesin e ankimimit. Ne besojmë se procesi po ecën normalisht, jo për meritë të KQZ, por te popullit shqiptar që nuk i la hapësirë KQZ të ndërhyjë. Ajo që ka ndodhur me KQZ ka qenë shkelje të kodit. Por kolegji do te jete institucioni që do japë zgjidhje për certifikimin. Ne kemi afat 5 ditë për të ankimuar çështjen, jemi duke mbledhur faktet dhe provat që mund të çojnë në një ankimim të mundshëm. KQZ përgjegjëse për dështimin e 2 projekteve atë të teknologjive në Fier dhe në Tiranë . Për ditën e zgjedhjeve ajo që ndodhi në qytetin e Laçit, ishte një ngjarje e rëndë, e cila do të lërë gjurmë në procesin zgjedhor. Numërimi i qetë, por merita është e popullit shqiptar, që dha një vote plebishitare.”- deklaroi Ilirjan Muho përfaqësuesi ligjor i LSI në KQZ 

Tjetër mendim ka anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, sipas të cilit, këto zgjedhje arritën standardet e kërkuara, pavarësisht se KQZ funksionoi me 4 anëtarë. 

“Këto zgjedhje arritën standardet e kërkuara, pavarësisht se ishte një KQZ me 4 veta. Trupa aktuale e KQZ mori të gjitha përgjegjësitë, dhe mundem dhe arritëm të organizojmë zgjedhje te lira e të ndershme. Ne ligjërisht përmbushim tabelat përmbledhëse, ndërsa për ndarjen e mandateve duhet një shumicë e cilësuar dhe duke qenë se KQZ është e pamundur për këtë vendim, është kolegji që pas tabelave të bëjë ndarjen e mandatave. Absolutisht janë zgjedhjet më të mira në 10-vjeçarin e fundit. Arritëm të zhvillojmë zgjedhje brenda parametrave të kërkuara. Hap përpara për zhvillimet dhe integrimin e Shqipërisë në BE. “- deklaroi Klement Zguri anëtari i KQZ-së. 

Por pavarësisht mendimeve ndryshe, ajo që 3 personazhet e njohura të KQZ bien dakord, është fakti se do të jetë kolegji zgjedhor që do të bëjë shpërndarjen e mandateve.