TIRANE, 6 korrik 2013 – Kandidati për drejtimin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, ka nisur takimet nga qarku i Fierit, duke u ndalur fillimisht në Mallakastër.

Olldashi sërish ka sulmuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke thënë se ajo ka qenë një kosto për PD-në.

Duke e akuzuar sërish këtë forcë për blerje votash, Olldashi tha se është e rëndësishme që të binden shqiptarët se vota nuk është mall që shitet.

Olldashi ka mbrojtur kryetarin në detyrë të PD, Sali Berisha, duke thënë se nuk është vetëm ai fajtor për humbjen, por të gjithë, duke nisur që nga militantët e deri tek ministrat.

Olldashi tha se ky është një moment i vështirë pasi kanë humbur zgjedhjet, por duhen ngritur themelet për të fituar zgjedhjet e ardhshme.

“Ne i humbën zgjedhjet, por është e domosdoshme të mësojmë pse-në. Përgjegjës për humbjen nuk është Berisha, por të gjithë duke nisur nga ministrat deri tek militantët. Jam futur në garën për kreun e PD në një moment të vështirë. Kjo është një garë që do t’i shërbejë Partisë Demokratike dhe strukturave të saj. Ne duhet të ngremë themelet për fitoret e ardhshme. Ne e kemi provuar se dimë që të ringrihemi dhe jemi rikthyer me votën e qytetarëve. U kërkoj ndjesë militantëve të PD, që me gjithë punën e madhe nuk i fituam zgjedhjet”, tha ai.