TIRANË, 6 korrik 2013 – Shoqërohen dy efektivë policie, pasi në gjendje të dehur kanë bërë gjeste të pahijshme në rrugë. Ngjarja është shënuar pasditen e djeshme në kryeqytet, ku forcat e policisë kanë ndaluar dy efektivë policie të Drejtorisë së Përgjithshme, të cilët pasi janë dehur në një lokal kanë dalë në rrugë dhe kanë bërë gjeste të pakëndshme me qytetarët.

Mësohet se ngjarja është shënuar rreth orës 16:00 minuta të ditës së premte në afërsi të zonës së pallateve 9-katëshe. Burime nga policia bëjnë me dije se bëhet fjalë për efektivin e policisë J. M. dhe kolegun e tij P. V. Mësohet se dy efektivët pasi janë dehur në një lokal në zonën e 9-katësheve, kanë dalë në rrugë dhe aty kanë nisur të ngacmojnë disa vajza të reja. Efektivët e policisë bëjnë me dije se vajzat janë ndierë keq dhe janë ankuar pranë patrullës së përgjithshme në afërsi të kësaj zone.

Kaq ka mjaftuar që patrulla të mbërrijë pranë efektivëve të dehur dhe u kanë komunikuar se duhej t‘i shoqëronin për në komisarit. Sipas policisë, pas kësaj dy efektivët e dehur kanë nisur të konfliktohen edhe me forcat e policisë së repartit “Shqiponja”. “Gazeta Shqiptare” ka publikuar fotografitë e momentit të shoqërimit të efektivëve të pirë nga kolegët e tyre. Pas kësaj ngjarjeje, ka nisur menjëherë hetimi nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Pritet që pas hetimeve të zbardhet e vërteta e kësaj ngjarjeje. Me shumë mundësi mund të ndodhë edhe shkarkimi i dy efektivëve, pasi kanë shkelur Kodin e etikës dhe pavarësisht se kanë qenë me veshje civile, e kanë pasur me vete armën e shërbimit. 

Ndërkohë, po dje Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë me dije se u ka kërkuar efektivëve të saj të ruajnë etikën.

“Nga të gjitha strukturat drejtuese të policive vendore, janë planifikuar, organizuar dhe zbatuar masa për strukturat në varësi, ku nëpërmjet tyre synohet garantimi i rendit dhe sigurisë publike në vendet turistike, bregdetare e malore, rritja e sigurisë rrugore, lehtësim i lëvizjeve në kufi, dhënia e ndihmës së shpejtë, si dhe ofrimi i një shërbimi policor në përputhje me kërkesat e Kodit të Etikës”, thuhet në njoftimin e policisë.