Reparti zjarrfikës: Shqetësim trafiku e mungesa e korsive të emergjencës
DURRES, 6 korrik 2013 – Rritja e temperaturave përgjatë stinës së nxehtë të verës, ka bërë që Reparti Zjarrfikës në Durrës, të përgatisë një plan të veçantë masash për eliminimin e vatrave të zjarrit në zonat turistike si dhe në sipërfaqet pyjore të qarkut.
Shefi i Repartit Zjarrfikës në Durrës, Et’hem Bardhi, shprehet se përgjatë gjithë stinës së nxehtë të verës, është hartuar një plan i detajuar masash në drejtim të eliminimit në një kohë më të shpejtë të zjarreve.
Bardhi sqaron, se për të përballuar situatën e zjarreve gjatë verës është kordinuar puna me njësitë vendore si dhe efektivat e rendit, të cilët së bashku do të mbajnë nën kontroll situatën.
Stina e verës paraqitet problematike sa i përket zjarrvënies së qëllimshme që bëhet për hapje të kullotave të reja, por edhe nga pakujdesia e personave të ndryshëm.
Ndaj në të tilla kushte, efektivat e Repartit Zjarrfikës në Durrës, kërkojnë bashkëpunimin e qytetëtarëve, të cilët sipas tyre luajnë një rol të rëndësishëm në shmangien e situatave problematike.
Më herët edhe prefekti i qarkut Durrës Genc Juka, gjatë një takimi me shtabin e emergjencave për sezonin turistik, u kërkoi njësive vendore të marrin masa urgjente për ngritjen e skuadrave mbrojtëse, caktimin e rojeve dhe vrojtuesve kryesisht në zonat pyjore të qarkut dhe në kurorat e gjelbëra të zonave turistike.
Trafiku e mungesa e korsive të emergjencës, shqetësim për Zjarrfikësit
Rrugët e ngushta, trafiku i rënduar, ndërtimet pa kriter, si dhe mungesa e korsive të emergjencave janë disa nga problemet që reparti Zjarrfikës në Durrës ka aktualisht. Ky repart e ka mjaft të vështirë t’i përgjigjet në kohë të shpejtë thirrjes për ndihmë të qytetarit, për shkak se pengesat që hasin gjatë rrugës janë të shumta, kryesisht gjatë stinës së verës.
“ Sapo njoftimi mbërrin në sallën operative, efektivat e repartit Zjarrfikës, organizojnë punën dhe nisën me urgjencë drejt vendit ku është kërkuar ndërhyrja. Por, trafiku i rënduar në rrugë dhe mungesa e një korsie emergjence, ndikon në mosvajtjen në kohën e duhur të këtij shërbimi. Ç’do vonesë, sado e vogël mbart me vete edhe humbjen e një jete. Veç trafikut të rënduar, rrugëve të ngushta, është edhe mungesa jo e saktë e adresa, çka vështirëson ndjeshëm punën e shërbimit të zjarrfikësit", u shpreh Et’hem Bardhi shefi i zjarrfikësve Durrës.
Në të tilla kushte nga ana e efektivave të Repartit Zjarrfikës, kërkohet që nga ana e njësive vendore apo edhe institucioneve të tjera kopetente të ndërhyhet për normalizimin e situatës, kryesisht në lirimin e rrugëve që bllokohen nga parkimet pa kriter.
Që prej fillimit të këtij viti, reparti zjarrfikës ka realizuar 120 ndërhyrje, 28 prej të cilave në vatra zjarri, si ndërhyrje brenda ambjenteve të shtëpie, qendrat e biznesit, terrene të hapura, ndërsa pjesa tjetër në drejtim të largimit të ujit nga banesat apo zonat e prekura nga përmbytjet. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i ndërhyrjeve nga ana e fektivave të zjarrfikësve është më i ulët.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





