TIRANË, 5 korrik 2013 – Edhe pse e kanë menderosur me amfiteatrin e Durrësit, burokratët e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS), janë krenarë dhe quajnë interesimin e “Europa Nostra”-s “sukses të përbashkët”.   

Në një njoftim në sajtin e vet të datës 5 korrik 2013 MTKRS-ja shkruan se   “Europa Nostra, një nga grupimet më në zë në Europë për mbrojtjen dhe promovimin e Trashëgimisë së përbashkët Europiane, mblodhi bordin e saj në muajin qershor në Athinë”.

Ky dikaster mburret dhe lavdëron “Europa Nostra”-n, por nuk e di se në ç’datë është marrë vendimi dhe në me ç’rast.

I kujtojmë MTRKS-së se mbledhja është bërë më 12 qershor 2013 në prag të kongresit të 50 të vet në një konferencë shtypi të përbashkët me Bankën Evropiane për Zhvillim   

“Në listën e përzgjedhur me 7 sitet, ku ishin paraqitur në tërësi 40 propozime, 14 nga të cilat dolën në takimin e Londrës, Amfiteatri i Durrësit ishte një nga projektet fituese”, shkruhet në tekstin origjinal, por budallallëku vazhdon më frazën “u vendos i pari, sipas rendit alfabetik latin, Albania, por jo si më i rrezikuari”!                                                                                                                                   

Citojmë më tej: “Ky propozim nga ana e ADCT (Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor) është mbështetur që nga fillimi i procedurës për listën e “monumenteve të rrezikuara”, me qëllim që të parashikoheshin dhe të parandaloheshin rreziqet ndaj tyre. Në dokumentacionin dhe kërkesën e ADCT shihej i shprehur miratimi ynë [pra, i MTKRS-së, uf çfarë “suksesi”! – “Dyrrah”-u] për t’u renditur në këtë listë bashkëpunimi me institucionet e specializuara. “Monument në rrezik” përfshin profilaksinë arkeologjike ndaj kanosjeve të kohës, prej zhvillimit urban, ndërhyrjeve sociale, shkaqet natyrore, nga të cilat Durrësi është rrënuar dy herë, qoftë nga tronditjet e tërmeteve dhe shumë arsye të tjera ndër vite”. 

Por xhevahiret e dikasterit vazhdojnë, teksa mosdhënien e fondeve e konsideron arritje: “Ministria e Turizmit [nuk shkruhet emri i plotë i vendit ku marrin paratë shkruesit e këtyre radhëve – “Dyrrah”-u] që në krye të herës ka qenë partnere dhe duke njohur mirë situatën, pasi ajo është angazhuar nëpërmjet DRKK Durrës dhe specialistëve të IMK, që kanë bërë ndërhyrje konservuese në pjesët e mozaikut. MTKRS gjithashtu ka qenë instrumentale në kërkesën për shpronësim të banesave që janë ngritur brenda qerthullit të Amfiteatrit. Kjo qasje dhe njohje e problematikës shënon një rritje në përgjegjësinë dhe bashkëpunimit midis MTKRS dhe partnerëve jo-qeveritarë. Në muajin gusht një përfaqësi nga “Europa Nostra” si dhe Banka Europiane për Investime dhe Këshilli i Bankës Europiane për Zhvillim, do të vizitojnë Durrësin për të vlerësuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet lokale dhe ato qendrore mbi planin e veprimit që duhet ndërmarrë. Pjesë e këtij plani janë ngritja e fondeve në institucione evropiane dhe lokale si dhe gjetja e modaliteteve për krijimin e modeleve të zhvillimit për turizmin e qëndrueshëm dhe mikroekonomisë të atashuar me sitin.

Amfiteatri i Durrësit është një nga kryevlerat e trashëgimisë tonë kulturore dhe më gjerë, që ka përkujdesin [duhet: “përkujdesjen” ose “kujdesin” – “Dyrrah”-u] e përhershëm tonin”, mbyllet hartimi.

E dhamë të plotë komunikatën e “fitores” së MTKRS-së thjesht për të njohur nivelin mjeran të administratës shqiptare (aty gjen dhe gabime drejtshkrimi, që i kemi ndrequr, fakt, i cili dëshmon përvetësimin e kulturës së gjuhës nga ata që merren me kulturën shqiptare).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/