TIRANË, 5 korrik 2013 – Nëpunësit e ministrit të Brendshëm në detyrë Flamur Noka, ndonëse kanë helikopter për emergjenca, u ka shtrirë dorën vartësve të ministrit të Mbrojtjes në detyrë Arben Imami për të shpëtuar disa udhëtarë kroatë mes maleve të qarkut të Kukësit.
Me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, më 4 korrik 2013, ora 15.00, helikopteri tip “Cougar” i Forcave Ajrore u nis në fluturim në drejtim të Alpeve, në malin e Jezercës, për të bërë evakuimin e shtatë turistëve kroatë të bllokuar prej disa orësh, njoftoi Ministria shqiptare e Mbrojtjes.
Helikopteri “Cougar” i drejtuar nga piloti nënkolonel Altin Lame dhe piloti instruktor francez major Thierry Solignac, së bashku me ekuipazhin arritën në malin e Jezercës, ku pas kërkimesh në këtë rajon bënë të mundur gjetjen e të shtatë turistëve kroatë, gjashtë prej të cilëve ishin në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa një i dëmtuar në krah.
Më herët, gjatë ditës së 4 korrikut 2013, një helikopter i Ministrisë së Brendshme ka tentuar të bëjë evakuimin e turistëve në malin e Jezercës, por për shkak të kapacitetit të kufizuar për evakuimin e shtatë turistëve të bllokuar, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile kërkoi mbështetjen e Forcave të Armatosura për të bërë të mundur shpëtimin e jetës së turistëve kroatë duke përdorur helikopterin “Cougar”.
Helikopteri ka transportuar turistin e plagosur në drejtim të Spitalit Ushtarak në Tiranë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





