TIRANË, 5 korrik 2013 – LSI-ja “ngarkon” kandidatin e vet në Durrës në dy palë zgjedhjesh të përgjithshme Artur Zheji kundër durrsakut Sokol Olldashi në garën për karrigen e lënë bosh nga Sali Berisha.

Komentuesi dhe gazetari i njohur Artur Zheji, një nga eksponentët mediatikë në shërbim të Fatos Nanos dhe Ilir Metës, ka botuar në një të përditshme të 5 korrikut 2013 (botuesi i së cilës është afër me LSI-në) komentin “Përse Lulzim Basha kryetar”, ku ndër të tjera, përveçse në titullin me karakter lobues, shkruan me retorikë hartimesh se “nëse PD i intereson rimëkëmbja dhe shqiptarëve një opozitë e fortë, kush tjetër mundet të implementojë një stil të ri të konceptit politik dhe të komunikimit politik?… Kush mundet tjetër, sepse kostumi holandez i Bashës duket ende pa xhepa mllefesh politike ndërpartiake, të krijojë një rithemelim të butë dhe paqësor të Partisë Demokratike, mbi bazën e eksperiencës së KOP-it dhe, pse jo, duke e çuar më tej atë?… nëse dikush apo disa janë të bindur se Lulzim Basha nuk është më i miri, të gjithë në brendësi e dinë se Lulzim Basha është më i duhuri!”.

Ky shkrim, për koincidencë, botohet pas intervistës së bujshme të Olldashit në “Opinion”-in e Fevziut, ku sulmon ashpër LSI-në (“LSI-ja nuk është formacion politik, është një çetë parash”; ardhja e Metës në krye të Kuvendit është “shfaqja më e shëmtuar e mungesës së moralitetit”; “zonja Topalli nuk është kapur kurrë me bllok në dorë. Unë besoj se shumica e shqiptarëve, pa diskutim të gjithë demokratët besojnë se ky vend nuk të ngre në piedestal kur del me bllok në dorë”; “kam pasur gjithnjë mospëlqimin tim total me mënyrën si funksionon LSI-ja” etj.).

Del që Olldashi është i vetmi drejtues blu që nuk ka qenë dakord me mosdënimin e Metës për videon me bllok.

Në këtë kontekst, shkrimi pro Bashës nuk ka bëjë vetëm me faktin se votat e LSI-së e bënë atë kryetar bashkie në Tiranë.

Në mediet është folur për miqësi të vjetër midis Metës dhe Bashës; këta të dy kanë qenë kundër Topallit dhe tërthorazi kundër Olldashit, Bodes, Rusmajlit etj. “gardës” së vjetër të PD-së.

Është interesant fakti që kundër Olldashit është rreshtuar publikisht dhe botuesi militant berishian Fahri Balliu, që njihet për miqësinë me Bashën dhe Metën.

Prandaj nuk do të jetë befasi që, në rast fitoreje të Bashës për kreun e PD-së, Ilir Meta të braktisë, në një kohë X, koalicionin e majtë të 23 qershorit, për të krijuar sërish qeverinë PD plus LSI.

Por, nga ana tjetër, nuk dihet se çfarë “as në mëngë” mban Olldashi, sidomos për pronat në Durrës të rivalëve të tij politikë brenda PD-së dhe jashtë saj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/