DURRËS, 5 korrik 2013 – Sokol Olldashi, një durrsak në krye të selisë qendrore të Partisë Demokratike?
“Kam pasur mundësi që ta njoh PD-në në të gjitha nivelet”, deklaroi më 4 korrik 2013 në Klan TV Sokol Olldashi, ministri në largim i Punëve Publike dhe Transportit, që ka marrë lejen e Berishës për të luftuar për karrigen e numrit 1 të opozitës së pas-shtatorit 2013.
Olldashi i bëri të ditur anëtarësisë “blu” dhe gazetarit Blendi Fevziu në “Opinion” se e kishte ndërtuar gjithë karrierën e tij në PD duke kaluar të gjitha shkallët gradualisht dhe kjo e ka bërë që të njohë mirë strukturën.
Poet, gazetar, jurist dhe aktualisht një nga figurat qendrore të PD-së tregon: “E kam nisur marrëdhënien me PD-në duke shpërndarë trakte me Tan Hoxhën në Durrës në Krishtlindjet e vitit 90, pastaj nga traktet, kam kaluar në fazën e ngjitjes së posterëve si të gjithë të rinjtë e PD-së, pastaj kam qenë komisioner, pastaj pjesë e forumit rinor të PD-së, kam qenë pjesë e traumës që pësoi PD-ja në vitin ‘97”.
Me sa duket, në llogaritë e tij në garën “një anëtar një votë” Olldashi ka parasysh dhe “hambarin” e Durrësit, ku ka ndikim për shkak të kontributit në rini dhe pastaj si deputet i qarkut kur mposhti Agron Dukën në Shijak.
Shumë nga militantët, mbështetësit, sponsorët e Durrësit janë shpërblyer bujarisht nga Olldashi, por, nga ana tjetër, sikurse ndodh në provincë, kjo ka shkaktuar dhe xhelozitë, pakënaqësitë brenda disa segmenteve të PD-së së Durrësit, tek ata që kanë mbetur me “gisht në gojë”.
Madje, kanë qarkulluar zëra se pikërisht kjo gjë ka detyruar kreun e PDSH-së Sali Berisha ta çojë në Myzeqe, si deputet; por të tjerë afër tij e kanë shpjeguar këtë me besimin e liderit historik në aftësitë e Olldashit për dobësuar bastionin e PS-së në qarkun e Fierit.
Sidoqoftë, mbetet për t’u parë nëse durrsaku Olldashi do të shpërblehet në vendlindjen e tij për kontributet.
Ndërkaq në intervistën me Fevziun kandidati për kryetar i PD-së u tregua tepër i matur ndaj ish-nënkryetarit dhe pastaj ish-presidentit të Republikës Bamir Topi; por është i pari nga kryesia e shumicës në largim që sulmon shumë ashpër LSI-në, gjë që nuk e ka bërë as Berisha dhe as rivali i Olldashit, Lulëzim Basha.
Kjo bisedë zbuloi dhe faktin se botuesi fanatik i selisë blu Fahri Balliu ka rezerva ndaj Olldashit.
“Dyrrah” po boton një përmbledhje të zgjeruar të intervistës në TV Klan, në emisionin “Opinion”.
Intervista
Zoti Olldashi, duket disi e vështirë që dikush mund të zëvendësojë Sali Berishën, a është ndërmarrje, s’po them e pamundur, por…
Sokol Olldashi: Nuk i kemi hyrë kësaj gare për të zëvendësuar Sali Berishën. Zoti Berisha është në PD, nuk është i larguar. Është pjesë e PD-së, nga dita që vendosi të japë dorëheqjen, ai pohoi se do të qëndrojë. Berisha është themeluesi i PD-së dhe lideri i saj dhe nga kjo pikëpamje është shumë e vështirë të plotësosh figurën e tij. Por nga ana tjetër, duhet modestisht të pranojmë se PD-ja në këto momente ka nevojë për një lidership të ri. PD-ja ka nevojë për garë. Unë i jam futur kësaj gare me të gjithë dëshirën të jap kontributin tim në të mirë të kësaj partie.
Fahri Balliu ka thënë se ministra të njohur si ju dhe Bode keni flirtuar me zotin Rama…
Sokol Olldashi: Marrëzi që s’e komentoj dot. Komente pastaj për marrëzi që kanë të bëjnë me mosplotësime kërkesash të paarsyeshme nuk i komentoj.
Po me Berishën u konsultuat para se të hynit në garë?
Sokol Olldashi: Sigurisht.
Cili ishte reagimi i tij?
Sokol Olldashi: Ishte ai që u bë publik nga vet zoti Berisha. Ai me tha: “Sokol, kjo është një garë, ku unë do të qëndroj jashtë. Nuk do të jap as pëlqimin as mospëlqimin”. Partia do të vendosë. Unë vendosa të konkurroj, sepse, në radhë tëe parë, PD-së i duhet një garë për rivitalizimin e saj. Është një forcë, që unë kam bindjen absolute se mund të ngrihet shumë shpejt.
Çfarë do të thotë slogani juaj: “Fillimi i ri, bashkë rikthehemi shpejt”?
Sokol Olldashi: Do të thotë PD-ja, bashkë si një e tërë; dhe së dyti, do të thotë PD bashkë me mua.
Çfarë ndodhi me PD-në?
Sokol Olldashi: PD-ja zhvilloi një fushatë shumë të mirë. Ndoshta, më e mira e zhvilluar ndonjëherë nga forma e organizimit. Struktura reagoi shumë mirë dhe me dëshirë të madhe për të punuar.
E prisnit humbjen?
Sokol Olldashi: Jo, të them të vërtetën, nuk e prisja. Por duhet marrë parasysh që sondazhet tona kishin rreth 20 për qind të elektoratit të pavendosur.
Keni humbur 10 për qind të votuesve tuaj nga viti 2009. Çfarë ka ndodhur?
Sokol Olldashi: Unë besoj se ka pasur një element që dëmtoi PD-në dhe kjo është mosgoditja politikisht e LSI-së. Mosgoditja e LSI-së, për mua, ka qenë një faktor. Sepse, ndoshta, për zakon elektoral, ne e përqendruam fokusin tonë te PS-ja dhe neglizhuam LSI-në. Aty ku ne u fokusuam te PS-ja dhe aspak te LSI-ja, rezultati cedoi. Po të shohësh shifrat, ka rritje fare të vogël të PS-së, por rritje të LSI-së. Ky është opinion im, pasi, për të arritur një qëndrim final, duhet të bëhet analizë e thellë. Sigurisht, që mund të ketë pasur një lloj lodhjeje.
Atëherë, pse e mbajti LSI-në në koalicion PD-ja?
Sokol Olldashi: Sepse nuk mund të çonim vendin zgjedhje pas zgjedhjeve, pasi e djathta nuk i kishte mandatet e plota.
Ia keni shprehur kryeministrit këtë opinionin tuaj?
Sokol Olldashi: Po patjetër.
Sipas sondazheve, që pas bashkimit me LSI-në, ju patët një rënie. Pse?
Sokol Olldashi: Mosgoditja e LSI-së i dha kësaj force politike terrenin me elektoratin. Nga sondazhet tona, u konstatua si shqetësues një marzh votuesish prej 20 për qind të pavendosur.
Kreu i PD-së e mori të gjithë përgjegjësinë mbi vete. Kush ka tjetër përgjegjësi?
Sokol Olldashi: Të gjithë ne që kemi qenë drejtues të shtabeve elektorale, anëtarë të kryesisë kemi përgjegjësi. Nuk mund të jemi vetëm pjesë e meritave në qeverisje në mazhorancë. Jemi edhe të mëkateve. Zoti Berisha me një gjest zemërgjerë i mori përsipër të gjitha. Por të gjithë kemi përgjegjësinë tonë, nga i pari tek i fundit. Të vetmit që nuk kanë përgjegjësi janë militantët e PD-së.
A ishte një problem qëndrimi tetë vjet në qeverisje, lodhja?
Sokol Olldashi: Nuk di ta them, por ndoshta mund të kishte nevojë për një “refresh”, jo vetëm në nivel ministrash, por edhe drejtorësh. U pa që edhe nga zyrtarët tanë pati një lloj veljeje me pushtetin, nuk kishin me lidhje me njerëzit. Ka një mori faktorësh që kontribuojnë.
Si shpjegohet që LSI-ja shkoi nga 4 ne 17 mandate?
Sokol Olldashi: LSI-ja sulmoi pjesën pragmatiste të elektoratit. Luajti mençurisht duke përhapur idenë që cilido që të fitojë, ne do të jemi në pushtet.
A keni pasur shpresë se LSI-ja do te merrte disa mandate dhe do të bashkëpunonte me ju?
Sokol Olldashi: Jo.
Pse mos të bëhej analiza përpara zgjedhjes së kryetarit te ri, pse pas?
Sokol Olldashi: Analiza do të bëhet, sepse është bëre gjithmonë. Veprimi i zotit Berisha mund të interpretohet edhe si një hapje mundësie që kreu i ri i partisë nesër të ndërtojë, mbi bazën e analizës, ringritjen e PD-së. Sepse analiza nuk bëhet për “koka turku”, por për ringritje.
Nëse si kryetar i PD-së ju do të keni nevojë për një koalicion me LSI-në, ju do e bëni?
Sokol Olldashi: Në asnjë rrethanë.
A është Rama person i thjeshtë për t’u larguar nga pushteti?
Sokol Olldashi: Është herët për të gjykuar për Ramën. Sigurisht rekordet e Ramës nuk janë pozitive…
Përse duhet t’ju votojë juve një anëtar i PD-së?
Sokol Olldashi: Unë e kam ndërtuar gjithë karrierën time në PD duke kaluar të gjitha shkallët gradualisht dhe kjo më ka bërë që ta njoh mirë strukturën. Unë e kam nisur marrëdhënien me PD-në duke shpërndarë trakte me Tan Hoxhën në Durrës në Krishtlindjet e vitit 90, pastaj nga traktet, kam kaluar në fazën e ngjitjes së posterëve si të gjithë të rinjtë e PD-së, pastaj kam qenë komisioner, pastaj pjesë e forumit rinor të PD-së, kam qenë pjesë e traumës që pësoi PD-ja në vitin ‘97 në këtë rast me tepër si gazetar sesa si pjesë integrale e strukturës së PD-së, kam qenë në selinë e PD-së në ngjarjet traumatike që ka pasur, qoftë me plagosjen e Azemit në ’97 qoftë ngjarjet që ndodhën në vitin 1998 vrasja e Azemit dhe ajo që pasoi pas, 13 dhe 14 shtatori… Kam pasur mundësi që ta njoh PD-në në të gjitha nivelet dhe dua të them që Berisha ka pasur një aftësi të jashtëzakonshme për të mobilizuar dhe ne në opozitë kemi qenë një makineri e tmerrshme që lëviznim në çdo cep të këtij vendi… Unë besoj se unë di se si ta ringre strukturën e PD-së që ta çoj në një fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare…Unë e njoh jetën e opozitës dhe e di se si është opozita dhe kam një eksperiencë opozitare…
Është kjo e mjaftueshme që një militant i PD t’ju votojë?
Shpresoj që po. Unë i njoh militantët e PD. I njoh personalisht pjesën më të madhe të strukturave të PD-së. Kam përjetuar me ta ditët e mira dhe të këqija. Unë besoj se di si ta ringre strukturën e PD dhe si ta çoj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Cili është avantazhi që mendoni se keni në raport me Bashën?
Sokol Olldashi: Pikërisht kjo, njohja kapilare që unë kam me strukturën e PD-së dhe fakti që unë e njoh jetën e opozitës. E di se si është opozita.
Do shkoni të takoni gjithë anëtarësinë?
Sokol Olldashi: Kjo është strategji elektorale. Për mua kjo kohë është e mjaftueshme, sepse lëviz në një terren që e njoh. S’kam nevojë të shkoj dhe të prezantohem me njerëzit. Në telefonin tim është treçereku i partisë.
Në qoftë se më 22 korrik do të zgjidhet kreu i ri, mendoni se ka kohë të formoni grupin gati për në Kuvend?
Sokol Olldashi: Grupi parlamentar demokrat ka kapacitete të mjaftueshme për ta bërë opozitën më të fortë në Kuvend. Ky është grupi më i mire që PD-ja ka pasur ndonjëherë në Kuvend. Ne do të bëjmë opozitë shumë të fortë.
Çfarë do te ndryshoni ju ne PD nëse fitoni?
Sokol Olldashi: Mendoj se duhet që strukturat e PD-së të jenë funksionale dhe operative. Duke qenë tetë vite ne qeveri, ka pasur një lloj ngadalësimi të strukturave. Duhet të vendoset një sistem i vlerës, të njihet kontributi nga kreu i partisë deri tek anëtari i thjeshtë. Strukturat e PD-së duhet të rikthehen vitale. Duhet gjetur një ekuilibër mes prurjeve të jashtme dhe atyre të karrierës në parti. Çdo opozitar duhet të vijë në PD. PD-ja duhet të jetë një derë e hapur për këdo që është opozitar.
Cilat janë garancitë që nuk do të ketë spastrime të njerëzve me vlerë, që janë konkurrentë apo kundërshtarë të kryetarit?
Sokol Olldashi: Kjo parti ka nevojë të rritet, sepse ka marrë një goditje dhe ka nevojë të rigjenerohet prapë me anë të një karte morale opozitare. Sali Berisha i fitoi zgjedhjet në vitin 2005 më një kartë të fortë morale. Sali Berisha u rikonfirmua në vitin 2009 më një kartë të fortë morale. Ne duhet domosdoshmërish të ndërtojmë një kartë të fortë morale mbi të cilën të ngremë gjithë aksionin opozitar, që të kthehemi në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dhe çdo njeri i arsyeshëm do të shkonte drejt unifikimit të partisë dhe jo drejt përçarjes së partisë. Në qoftë se anëtarësia e partisë do të më besojë drejtimin e PD-së, unë absolutisht do t’i ofroj të gjitha garancitë edhe statusore që askush në PD nuk mund të bëjë spastrime të funksionarëve.
Cilat janë këto garanci statusore?
Sokol Olldashi: Garanci statusore, që PD-ja sot i ka. Sepse duhet të kemi parasysh që është e vetmja parti që nuk ka në statut përjashtimin, por nga ana tjetër, ka nevojë të forcojë disa mekanizma, sepse duke qenë në opozitë ka nevojë të konsolidojë disa mekanizma që të mbrojë edhe mendimin kritik brenda partisë.
Zoti Olldashi, Berisha humbi zgjedhjet dhe dha dorëheqjen sipas një premtimi që kishte bërë disa herë. Ndërkohë që edhe zoti Nano dha dorëheqjen kur humbi zgjedhjet. A jeni ju i parimit që në statutin e ri të kësaj partie të sanksionohet parimi që ai kryetar partie që humb zgjedhjet e përgjithshme të japë dorëheqjen?
Sokol Olldashi: Berisha ka vendosur një standard moral, i cili domosdoshmërisht duhet të kthehet në një standard statusor.
Pra ju i qëndroni idesë që kryetari i PD-së që humb zgjedhjet e përgjithshme largohet për t’i hapur rrugën një kryetari të ri?
Sokol Olldashi: Po, qartësisht.
Nëse si kryetar i PD-së do keni nevojë për koalicion me LSI, do ta bëni?
Sokol Olldashi: Në asnjë rrethanë.
As në rast se do të ishit në rrethanat e Berishës në 2009-n?
Sokol Olldashi: Në rrethanat e 2009-s sigurisht që do kisha bërë koalicion, por me sjelljen politike që pati LSI nga 2009 deri në 2013-n është e pamundur që me atë parti të bëhet një marrëveshje politike, sepse t’i ndërton një marrëveshje politike dhe ata nënkuptojnë një pazar financiar.
Ka mendime se kreu i ri i PD-së do të jetë një lodër në duart e Berishës.
Sokol Olldashi: Nuk e besoj, sepse Berisha nuk funksionon kështu. Ai është një njeri, me të cilin ndërton një marrëdhënie partneriteti. Kreu i ri i partisë, nëse nuk do të rritet si politikan, kjo nuk do të jete për faj të Berishës. Kreu i ri nuk do të ketë asnjë problem nga Berisha.
Çfarë ka bërë keq dhe çfarë duhet korrigjuar nga Berisha në këto vite?
Sokol Olldashi: Kam përshtypje që e vetmja kritikë që do t’i beja zotit Berisha, është që në momente të caktuara është me pasionant seç duhet. Unë besoj se është një aset i jashtëzakonshëm për PD-në. Besoj që kreu i ri i partisë duhet të jetë me kolegjial.
A ka ndonjë thyerje mes jush dhe zotit Basha?
Sokol Olldashi: Absolutisht jo. Unë me zotin Basha kam një marrëdhenie shumë të mirë.
Cili është mendimi juaj personal për zotin Basha?
Sokol Olldashi: Kemi pasur një marrëdhënie të mirë gjithnjë, që nga viti 2005 kur Basha erdhi si pjesë e KOP-it. E njoha në vitin 2005 kur u krijua KOP-i, ashtu si Bregun, Bumçin, etj. E konsideroj një vlerë për PD-në. Kam qenë pjesë e qenësishme e fushatës së tij në vitin 2011 dhe ruaj një raport shumë të mirë. Për kryetarin është struktura e PD-së që do të vendosë. Secili prej nesh ka anët e veta pozitive dhe negative. Nuk ka parapëlqim nga zoti Berisha për kreun e ri. Ai jo vetëm e ka bërë të qartë këtë publikisht, por e ka nisur me SMS te të gjitha strukturat e partisë.
Ç’do të ndodhë me Bashën e mbështetësit e tij, nëse ju do të bëheni kryetar?
Sokol Olldashi: Sigurisht që Basha do të jetë pjesë e qenësishme e PD-së, në funksionet drejtuese të kësaj partie.
Po nëse fiton Basha, cili do jetë qëndrimi juaj?
Sokol Olldashi: Do të jetë respektim i menjëhershëm i rezultatit. Por unë kam hyrë në këtë garë për të fituar.
A do legalizoni fraksionet?
Sokol Olldashi: Në parim, jam kundër fraksioneve, sepse i konsideroj si dera e hapur për përçarjet në parti. Por jam pro mendimit ndryshe, kritikave në Partinë Demokratike. Modeli i Ramës nuk mund të aplikohet dot në PD, sepse PD-ja është parti e njerëzve të lirë dhe nuk është repart ushtarak.
Në garë ishin edhe dy kandidatë të tjerë…
Sokol Olldashi: Realisht nuk i njoh ata zotërinj. Kryesia vendosi të miratojë dy kandidatura, mua dhe zotin Basha, por ata kane të drejtë të ndjekin rrugën statusore.
Po zoti Biberaj pse nuk u lejua të kandidojë?
Sokol Olldashi: Sepse zoti Biberaj është anëtar i një partie tjetër. Nuk ka kuptim të jesh në një force politike dhe të kërkosh të jesh kryetar i një partie tjetër, ku u largove me dëshirë.
Çfarë do të bëni fillimisht nëse fitoni?
Sokol Olldashi: Riorganizim të partisë dhe thirrjen e të gjitha kontributeve opozitare në PD. Një hapje e partisë në disa drejtime, të rinjve, të opozitarëve, etj. PD-ja fitoi në zgjedhjet e vitit 2005 dhe në 2009, sepse të rinjtë e mbështeten fort.
Cila do të jetë filozofia e PD-së në opozitë?
Sokol Olldashi: Opozita është kartë morale. Ne do të kemi një kartë morale për të ardhur në pushtet. Opozita e PD-së nuk do të jetë destruktive. PD-ja nuk ka bllokuar asnjë ligj, që ka pasur lidhje me fatet e vendit edhe kur ka qenë në opozitë. Çdo hap integrues, që ka ndodhur nga 31 marsi 1991 deri më sot, ka qenë meritë e padiskutueshme e PD-së dhe PS-ja ka votuar kundër. Ne do të rikthehemi në pushtet me votat e qytetarëve, që e dinë se votat nuk janë shitblerje me lekë në dorë. LSI-ja nuk është formacion politik, është një çetë parash. PD-ja nuk është dipendente e LSI-së në asnjë rrethanë.
Si e gjykoni ardhjen e Metës në krye te Kuvendit?
Sokol Olldashi: Si shfaqjen më të shëmtuar të mungesës së moralitetit. Ndërsa rekordet e Ramës në përgjithësi janë negative. Rekordet e Ramës në opozitë janë negative. Jam i bindur se koalicioni mes Metës dhe Ramës nuk do të funksionojë për shumë arsye. Unë mendoj se do të jetë një mazhorancë fiktive.
Ç’domethënë? Të paktën nuk do të ketë arrogancën e Topallit…
Sokol Olldashi: Zonja Topalli nuk është kapur kurrë me bllok në dorë. Unë besoj se shumica e shqiptarëve, pa diskutim të gjithë demokratët besojnë se ky vend nuk të ngre në piedestal kur del me bllok në dorë.
Këtë raport keni pasur me Metën edhe kur ishte në qeverinë tuaj?
Sokol Olldashi: Nuk kam pasur asnjë raport, thjesht raport formal. Kam pasur gjithnjë mospëlqimin tim total me mënyrën si funksionon LSI-ja.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





