TIRANE, 4 korrik 2013 – Kandidati për kreun e PD bën thirrje që kushdo që ndjehet opozitar, të vijë në Partinë Demokratike. Sulmet më të ashpra i rezervon për Ilir Metën. Olldashi e quan Berishën pasionant.

Sokol Olldashi, një nga dy kandidatët në garën për kryetar të Partisë Demokratike, në të parën intervistë për Blendi Fevziun në TV Klan, deklaroi se ai është i bindur në fitore, mbështetur tek fakti se ai i njeh mirë strukturat e PD-së.

“Avantazhi im është njohja kapilare e strukturave të PD dhe e njoh jetën në opozitë,” tha Olldashi, duke premtuar se ata do kthehen në pushtet në vitin 2017.

Olldashi premtoi se do të jetë më kolegjial se Berisha në vendimmarrje, ndërsa rezervoi edhe një kritikë tjetër ndaj Berishës, duke thënë se ai është pasionant.

I pyetur për votën e 23 qershorit, Olldashi tha se ndoshta ka pasur një lodhje me qeverisjen, por bilanci i qeverisë ka qenë i jashtëzakonshëm.

Olldashi tha se slogani i tij është “Së bashku kthehemi më shpejt”.

Ai bëri thirrje që kushdo që ndjehet opozitar, të vijë në PD. Madje ai tha se karta e tij më e fortë në këtë garë do jetë hapja e partisë ndaj elementëve opozitarë.

Olldashi tha se në parim është kundër fraksioneve.

Olldashi tha se opozitës i duhet një kartë e fortë morale për të ardhur sërish në pushtet.

“Opozita nuk është çështje numrash, është kartë morale,” tha Olldashi.

Sokol Olldashi i është përgjigjur akuzave të Fahri Balliut se ministra të caktuar si Olldashi dhe Bode kanë flirtuar me kreun e opozitës Edi Rama.

“Një marrëzi që nuk e kuptoj dot. Në asnjë nivel të strukturave të Partisë Demokratike nuk ka pasur flirtim. Komentet që kanë të bëjnë me marrëzi e mos plotësim dëshirash apo kërkesash nuk i komentoj”, u shpreh Olldashi.

Duke ju referuar çështjes së rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, Olldashi deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim sulmoi pjesën pragmatiste të elektoratit, luajti mençurisht duke përhapur idenë se cilido që të fitojë ne do të jemi në pushtet.

Olldashi tha se PD nuk do të bllokojë asnjë nismë sa i përket integrimit.

“Ne kemi dhënë prova të qarta që dimë të ngrihemi mbi interesat e PD, kur luhen interesat e vendit,” tha Olldashi.

“Ne nuk jemi asnjë peng të së shkuarës. Kemi përballë dy formacione, njëri prej të cilëve është destruktiv dhe kemi më pas një formacion që nuk ka asnjë lidhje me politikën,” vijoi Olldashi.

Ai e quajti LSI-në një çetë parash. Madje ai përmendi edhe çështjen e bllokut të Metës, kurse ardhjen e tij në krye të Kuvendit e quajti të turpshme.

“Jam i bindur se koalicioni i tyre nuk do të funksionojë. Mazhoranca e tyre është fiktive dhe do të shkërmoqet shumë shpejt. Unë nuk i besoj asnjë teze të Metës, sepse ai nuk ka asnjë tezë politike,” tha Olldashi