TEUTA-DACIA 3-1
GOLAT: D.Xhafaj 29′, Dosti 68′, Mancaku 73′/ Pavlov 38′
TEUTA: Rizvani, Idrizaj, Da Silva, T.Osmani, Jakupi, Nika (Çyrbja 73′), Dosti, Hyshmeri (Çekiçi 81′), Hodo (A.Hoxha 85′), Mancaku, Xhafaj. Trajner: Gugash Magani
DACIA: Matiugin, Posmac, Ilesku, Ogada, Lapushenko, Sopo (Koçiuk 76′), Grosu, Mihaliov, Stoleru, Orbu (Dragovozov 76′), Pavlov (Shevel 80′). Trajner: Igor Negresku
KARTONË TË VERDHË: Orbu 57′
GJYQTARET: Barish Simsek/ Ç.Satman dhe K.Jilmaz
MINUTAT
24′ D.Xhafaj në hyrje të zonës kundërshtare, gjuan, por topi ndalet nga mbrojtja.
26′ Sërish Xhafaj, hyn në zonë, gjuan, por topi ndalet në rrjetën e jashtme.
27′ Hodo pason bukur për Xhafajn, i cili rrotullohet, gjuan fort, por grushton portieri.
27′ Korne për Teutën: kros në zonë, topi largohet, Hodo nga 20m e gjuan, por pret portieri.
28′ Nika nga 25 metra gjuan, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.
29′ Da Silva nga e majta hedh një kros në zonë, aty ku Daniel Xhafaj me qetësi e ndal topin me gjoks dhe më pas, ballë për ballë me portierin, gjuan duke shënuar, 1-0.
38′ Kundërsulm i moldavëve nga e djathta, top në zonë, Stoleu pason në vijë të drejtë për Pavlov, i cili, i lënë totalisht i lirë nga mbrojtja, me portën bosh barazon, 1-1.
45′ Stole gjuan nga jashtë zone, mbi traversë.
62′ Stoleu në hyrje të zonës gjuan me të majtën, por jashtë.
64′ Xhafaj provon nga distanca, pret portieri.
68′ Mancaku nga e majta shmang një mbrojtës, hyn në zonë e pason për Dostin, i cili nga fare pranë gjuan duke shënuar, 2-1.
73′ Mancaku në hyrje të zonës, shmanget bukur dhe lëshon një të djathtë të fuqishme, e cila ndalet në trekëndëshin e majtë të portierit, 3-1.
78′ Dragovozov në zonë, gjuan, por pret Rizvani.
85′ Stoleu gjuan nga jashtë zonës, mbi kuadrat.
90+1′ Çyrbja nga e djathta e sulmit, kroson në zonë, por topi ndalet me dorë nga një mbrojtës. Ishte penallti, por arbitri vazhdoi lojën.
90+3′ Dragovozov, pasi shmang Idizajn, hyn në zonë, por në momentin e fundit ia largon topin sërish Idrizajt.
DURRES, 5 korrik 2013 – Teuta bën një hap të sigurt drejt kualifikimit për në turin e dytë të Ligës së Europës. Fitorja 3-1 e mbrëmjes së djeshme në Durrës përballë moldavëve të Dacia Kishinau, u jep më shumë se shpresë “djemve të detit” që të arrijnë objektivin. Daniel Xhafaj, Dosti dhe Mancaku ishin autorët e tre golave për durrsakët, por duhet thënë se më i mirë në fushë ishte Bledar Mancaku. Përveç një goli spektakolar, mesfushori me tipare sulmuese dha edhe asist për golin e dytë të shënuar nga fantazisti i Teutës. Nga ana tjetër, moldavët ishin më shumë sesa një skuadër modeste, përderisa nuk treguan thuajse asgjë. Edhe goli i barazimit të përkohshëm në pjesën e parë ishte një “dhuratë” e mbrojtjes së Teutës, e cila, e pavendosur mirë, e la totalisht të lirë sulmuesin kryesor Pavlov.
Pjesa e parë – Takimi nis i qetë me të dyja skuadrat që nuk tentojnë të ngacmojnë portat respektive, kjo si për të mësuar në fillim se me çfarë kundërshtari kishin të bënin. Kështu, deri në minutën e 24-t, nuk kemi qoftë edhe një rast të vetëm për t’u shënuar, por pas kësaj minute loja e vendësve ndryshon “si me thikë”. Daniel Xhafaj provon disa herë radhazi, por gjuajtjet e tij neutralizoheshin nga portieri. Provon edhe Nika e Hodo, por do të duhej të vinte minuta e 29-të për ta parë Teutën në avantazh. Da Silva nga e majta hedh një kros në zonë, aty ku sulmuesi çuditërisht i lënë vetëm, me qetësi e ndal topin me gjoks dhe, më pas, ballë për ballë me portierin gjuan duke shënuar. Entuziazëm në stadium dhe qetësi në pankinën e Maganit. Mirëpo, gjithçka e krijuar deri në atë çast të lojës, do të prishej pak minuta më vonë, kur një kundërsulm i moldavëve e gjen të papërgatitur mbrojtjen e Teutës dhe aty Stoleu pason në vijë të drejtë për Pavlov, i cili, i lënë totalisht i lirë, ballë për ballë me Rizvanin e ka si një lojë fëmije shtyrjen e topit për në rrjetë. Këtu mbaron pjesa e parë, pasi asnjëra nga skuadrat nuk tenton më që të rrezikojë portat respektive.
Pjesa e dytë – Edhe fraksioni i dytë i lojës është identik si i pari. Për minuta të tëra skuadrat veçse e qarkullojnë topin në mesfushë dhe nuk tentojnë të sulmojnë. I pari që shikon nga porta është Stoleu, i cili në hyrje të zonës gjuan me të majtën, por jashtë. Pas këtij rasti, rikthehet Teuta. Mancaku merr “frenat” e lojës dhe në harkun e vetëm 5 minutave vulos rezultatin. Në fillim mesfushori me tipare sulmuese (në fakt dje luajti totalisht në sulm), shmang bukur nga e majta një mbrojtës, hyn në zonë dhe pason tokazi për Dostin. Ky i fundit nuk mendohet gjatë duke gjuajtur dhe shënuar. Vendësit entuziazmohen duke marrë krah edhe nga goli. Sakaq, Mancaku, tejet i inspiruar, gjen një të djathtë të fuqishme nga jashtë zonës, e cila ndalet në trekëndëshin e portierit moldav. 3-1 dhe nga ky çast Teuta e Maganit është me një këmbë në turin tjetër. Tekniku i Dacias, Igor Negresku, vëren problemet në skuadrën e tij dhe bën menjëherë disa zëvendësime. Nga ana tjetër, të njëjtën gjë bën edhe Magani, duke forcuar më shumë mesfushën. Në minutat e mbetura miqtë tentojnë disa herë që të rrezikojnë, por vetëm me gjuajtje nga larg, të cilat përfundonin shumë larg kuadratit. Ndërkohë, në minutën e parë shtesë arbitri nuk dha edhe një penallti të qartë për Teutën, pas një prekjeje të topit me dorë në zonë nga një mbrojtës. Gjithsesi, rezultati 3-1 është goxha favorizues, aq sa durrsakëve do t’u mjaftonte edhe një humbje minimale në ndeshjen e kthimit për t’u kualifikuar.
Magani s’kënaqet: Nuk duhej të kishim pësuar gol
Tekniku i Teutës, Gugash Magani, e ka konsideruar hap të rëndësishëm drejt kualifikimit fitoren 3- 0, ndërsa qëndron me këmbë në tokë teksa shprehet se kualifikimi do vendoset në përballjen e dytë. “Jam shumë i kënaqur nga fitorja, por gjithashtu edhe nga lojtarët për atë çka dhanë në fushën e lojës. Ishte një përballje shumë e fortë, ku nuk kishte shumë hapësira, megjithatë ne arritëm ta çanim mbrojtjen e tyre tri herë. Në përgjithësi skuadra luajti sikurse kishim planifikuar, ku në aspektin fizik nuk duhet të shpenzonim shumë energji. Kjo funksionoi dhe si pasojë erdhi edhe rezultati. Mendoj se e kontrolluam lojën në shumicën e kohës, ndërsa nuk i lamë shumë hapësira kundërshtarit për veprim. Kishim si synim që të shënonim dhe ia arritëm qëllimit shumë shpejt. Megjithatë, ajo që nuk më gëzon, është se pësuam gol. Nuk mundëm ta menaxhonim mirë situatën në pjesën e parë dhe pikërisht në një moment pakujdesie u ndëshkuam. Të tilla situata nuk do të përsëritën më, pasi loja është thjesht një episod, i cili, po nuk ishte i gatshëm për ta kapur në kohë, të penalizon rëndë”, – pohoi fillimisht Magani. Numri një i pankinës durrsake u shpreh se, pavarësisht rezultatit, Teuta nuk është kualifikuar ende. “Morëm një rezultat të mirë, por kjo nuk do të thotë se e kemi siguruar kualifikimin. Na presin edhe 90 minuta të tjera që, për mendimin tim, do të jenë më të vështira, pasi do të vendoset se cila skuadër do ketë mundësinë për të vijuar më tej. Ne kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, por duhet të jemi mjaft të kujdesshëm për ndeshjen e kthimit. Kundërshtari tregoi se ka aftësi, por megjithatë nuk trembemi dhe besojmë se do t’ia dalim edhe në Moldavi”, – përfundoi Magani.
Protagonistët njëzëri: Jemi të kualifikuar
Tredhëmbëshi i Teutës, Xhafaj, Mancaku dhe Dosti funksionoi më së miri. Tre lojtarët, përveçse zhvilluan një ndeshje të madhe, arritën të shënonin që të tre. I pari ishte Xhafa, i cili shkundi rrjetën, ndërsa më pas Dosti nga fare pranë dhe Mancaku nga distanca me një predhë. Në përfundim të ndeshjes, lojtarët deklaruan për “Panorama Sport” se ndihen shumë mirë për rezultatin e arritur në përballjen e parë, ndërsa sa u përket golave, theksuan se kanë bërë detyrën. Xhafaj-Vlonjati qe i pari që arriti të zhbllokonte rezultatin dhe që ngriti në peshë tifozerinë e zjarrtë në stadiumin “Niko Dovana”.
Xhafaj – “Morëm një fitore, të cilën besoj se e merituam plotësisht. Skuadra luajti mjaft e përqendruar dhe e organizuar njëkohësisht dhe, si përfundim, morëm një rezultat mjaft të favorshëm për të vijuar më tej. Arritëm të shënonim të parët, por u ndëshkuam shumë shpejt. Kjo është ajo që na mërzit, sepse pësuam në fushën tonë dhe dihet që goli në fushë kundërshtare në përballje të tilla ka vlerë tjetër. Gjithsesi, kemi besim se do të jemi ne ata që do të shkojnë në fazën tjetër të këtij kompeticioni, por, sikurse thashë, duhet të luajmë edhe 90 minuta në Moldavi. Nuk mendoj se jemi kualifikuar me këtë rezultat, por them se jemi më pranë kualifikimit se kundërshtari. Gjithashtu jam i lumtur që arrita të shënoj, por e rëndësishme ishte fitorja”, tha Xhafaj.
Mancaku – Autori i një super goli, Mancaku, u shpreh se Teuta mori një fitore të merituar, ndërsa vlerësoi me notat më të larta të gjithë shokët e skuadrës. “Ishte një ndeshje që
nuk mund të përfundonte ndryshe. Ne ishim përgatitur gjatë për këtë përballje dhe nuk do të lejonim kurrsesi të dilnim me barazim a humbje nga “Niko Dovana”. Rezultati 3- 1 është më se i mjaftueshëm për të kaluar në fazën tjetër, por që duhet të kemi shumë kujdes në ndeshjen e kthimit. Fakti që pësuam nuk më pëlqen, pasi ky gol e ndihmon shumë kundërshtarin për të pretenduar në ndeshjen e kthimit. Megjithatë, këtë ndeshje besoj se e dominuam plotësisht dhe kishim edhe raste të tjera të pastra. Shifrat mund të ishin më të thella, por nuk i shfrytëzuam siç duhet rastet e krijuara. Gjithsesi, jemi të kënaqur nga kjo ndeshje, pasi morëm atë për të cilën kemi punuar për rreth një muaj në mënyrë intensive”, deklaroi Mancaku.
Dosti – Për mesfushorin me tipare sulmuese, Albi Dosti, kjo ndeshje ishte një provë dhe ai e shfrytëzoi më së miri, duke treguar se është ndër lojtarët më të talentuar te Teuta.
Lëvizi më shumë nga të gjithë në fushë, shkatërroi me dhjetëra aksione dhe ndërtoi dyfishin e tyre, për të mos përmendur edhe golin. Në fund të ndeshjes u shpreh: “Jam shumë i lumtur për paraqitjen e skuadrës, për rezultatin, por edhe për lojën time. U përpoq sikurse edhe shokët e mi për ta fituar këtë ndeshje dhe ia arritëm qëllimit. Luajtëm mjaft mirë dhe morëm një rezultat, të cilin nëse e menaxhojmë si duhet, na kalon në fazën tjetër të këtij kompeticioni. Duhet të përgatitemi mirë për ndeshjen e kthimit, pasi do të jetë një përballje krejt nderyshe. Golin ua dedikoj tifozëve, të cilët nuk reshtën së na mbështeturi, edhe kur nuk po luanim mirë”.
Negresku: Gabuam, por e përmbysim në fushën tonë
Pas ndeshjes, në konferencën e programuar për shtyp, tekniku moldav i Dacias, Igor Negresku, është shprehur se ka besim te përmbysja në ndeshjen e kthimit, ndërsa e ka vlerësuar me notat më të larta Teutën. “Ishte një ndeshje shumë e fortë. Ne ishim koshientë se përballë do të kishim një skuadër mjaft të motivuar dhe shumë të përgatitur nga ana fizike e taktike. E filluam mirë lojën, sidomos pas pësimit të golit të parë, morëm në duar frenat e lojës, por kjo zgjati fare pak minuta, pasi kundërshtari ishte vendosur mirë në fushë dhe nuk na lejoi të dilnim në lojën tonë. Do t’i bëjmë një analizë të thellë humbjes në Durrës dhe në ndeshjen e kthimit do praktikojmë një lojë tjetër. Pësuam tre gola dhe për ta përmbysur rezultatin në favorin tonë duket e pamundur. Megjithatë, ne kemi shumë besim tek aftësitë tona dhe do të shpresojmë e luftojmë deri në minutën e fundit”, – deklaroi tekniku moldav.





