DURRËS, 5 korrik 2013 – Mosvënia në funksionim e kolektorit të ri ka bërë që në plazhet e Durrësit nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Currila, ujërat e zeza të ndotin sërish bregdetin e Adriatikut. Sipas kontratës, kolektori duhet të përfundonte në shtator të vitit 2012. Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, zona bregdetare nga Shkëmbi i Kavajës deri tek Ura e Dajlanit kutërbon nga era e keqe. Kjo për faktin se në këto orare lokalet derdhin në det ujërat e zeza të grumbulluara përgjatë 12 orëve. Puna për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza nisi dy vjet më parë, por ai ende nuk është vënë në punë.
Projekti që kap vlerën e 12 milionë eurove është financuar nga komuniteti europian dhe qeveria shqiptare.
"E gjithë rruga e plazhit u ça gjatë muajve të dimrit dhe në të janë vendosur tubat e kolektorit të ri, në një gjatësi prej rreth 10 km, por në këtë zonë është ende duke u punuar. Lidhjet me stacionet e pompimit ende nuk janë kryer, ndërsa problematika është në drejtim të shpronësimeve. Në dy stacione pompimi, në "Iliria" dhe në "Hekurudha" ka problem me shpronësimin e truallit. Me këtë ritëm shpresojmë të mbyllim punimet shtatorin e ardhshëm. Aktualisht po punohet me kolektorin e vjetër, atë që ka qenë në funksion", pohon për "Gazeta Shqiptare" inxhinieri i firmës kontraktore të punimeve, Ergert Deliallisi.
Aktualisht zona e plazhit në Durrës funksionin me kolektorin e vjetër të ndërtuar në vitet '70 për një numër pushuesish rreth 30 mijë në total. Problemet me ndotjen janë të mëdha, pasi shumë hotele funksionojnë ende me gropa septike dhe në mbrëmje e në mëngjes me tubat e shtrirë në thellësi të rërës i dërgojnë ujërat e zeza direkt në det. Në krahun tjetër në Durrës është vënë në funksion një investim prej 11 milionë eurosh. Bëhet fjalë për impiantin e ujërave të zeza në Shënvlash, i cili duhet të përpunojë ujërat e zeza të të gjithë zonës bregdetare dhe të qytetit të Durrësit, dhe më pas t'i derdhë të pastra në det. Ndërsa pritej të kryheshin lidhjet me stacionet e pompimit në zonën e plazhit që ujërat e papastra të dërgoheshin në impiantin e Shën Vlashit (vepër kjo e inauguruar më 22 prill të këtij viti), punimet sërish kanë "ngecur". Kolektori nuk është vënë në funksion as për qytetin e Durrësit. Fakt është se të gjitha ujërat e zeza të zonës së qytetit derdhen në shëtitoren "Taulantia" në det, aty ku janë derdhur prej vitesh.
Sipas një raporti të DSHPH-së, ndotja e ujit dhe rërës përsa u përket plazheve është komplekse. Kjo sepse plazhi i Durrësit nis që nga përroi i Agait në anën jugore, vijon me kanalin e derdhjes së ujërave të zeza që është në Plepa, me derdhjen e ujërave të përdorura në pjesën perëndimore dhe jug-perëndimore të portit, ose tek shëtitorja "Taulantia", me derdhjen e ujërave të zeza dhe të përdorura në Currila dhe në këto pika analizat bakteriale dalin mbi normën e lejuar.
/BW/





