TIRANE, 4 korrik 2013 – Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.
Në mesazhin e tij, Presidenti Nishani rithekson marrëdhëniet dypalëshe, të cilat i cilëson miqësore dhe të shkëlqyera, duke konfirmuar vendosmërinë e tij për t'i përforcuar ato.
“Shqipëria dhe shqiptarët janë dhe do të jenë gjithmonë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që na kanë ofruar në sfidat më të rëndësishme me të cilat kombi shqiptar është përballur përgjatë historisë së tij. Roli i SHBA-së ka qenë i pazëvendësueshëm në anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si dhe në vendosjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në gjithë rajonin tonë”,-thuhet në mesazhin e kreut të shtetit, i cili thekson se ‘populli shqiptar mbetet seriozisht i angazhuar për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin ndërkombëtar në këtë drejtim’.
MESAZHI I PLOTË
Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani i dërgoi një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SH.T.Z. Barack Obama. Në mesazhin e tij, Presidenti Nishani shkruan:
“I nderuar Zoti President,Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më miqësore me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Me këtë rast, më lejoni, Zoti President, të rikonfirmoj marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe t’Ju siguroj për vendosmërinë time të palëkundur për t’i forcuar këto marrëdhënie edhe më tej në të ardhmen.
Shqipëria dhe shqiptarët janë dhe do të jenë gjithmonë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që na kanë ofruar në sfidat më të rëndësishme me të cilat kombi shqiptar është përballur përgjatë historisë së tij. Roli i SHBA-së ka qenë i pazëvendësueshëm në anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si dhe në vendosjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në gjithë rajonin tonë.
Populli shqiptar mbetet seriozisht i angazhuar për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin ndërkombëtar në këtë drejtim. Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon, si dhe do të kontribuojë në drejtim të forcimit të paqes, sigurisë dhe prosperitetit në Ballkan e më gjerë.
Duke përsëritur edhe një herë urimet e mia më të sinqerta, si dhe duke Ju uruar suksese në misionin Tuaj të rëndësishëm, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë! Sinqerisht, Bujar Nishani”
Me rastin e 4 Korrikut, Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i ka dërguar një mesazh urimi Kryetarit të Bashkisë së Washington DC, Vincent Gray.
Përmes këtij mesazhi, Basha i ka përcjellë urimet më të mira për këtë ditë të madhe të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar si aleatin më të madh që kombi shqiptar ka njohur në tërë historinë e tij.
“Qytetarët e Tiranës dhe mbarë kombi shqiptar u janë përjetë mirënjohës SHBA-së, për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që na kanë dhënë përgjatë gjithë historisë tonë, si kur diskutohej fati i ekzistencës tonë, ashtu edhe më pas, në instalimin e parimeve të lirisë dhe demokracisë që ju mbroni fort apo në procese të tjera të zhvillimit të vendit dhe integrimit në strukturat euro-atlantike”, shkruhet ndër të tjera në këtë mesazh urimi.
Basha thekson gjithashtu se “shqiptarët me vendosmëri dhe me ndihmën tuaj janë orientuar drejt avancimit të vlerave të lirisë, të demokracisë dhe të zhvillimit, vlera që sot i ndajmë së bashku, si anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe që në një të ardhme të afërt, do t’i ndajmë dhe me Bashkimin Evropian”.
“Ndaj, shton kryebashkiaku Basha, më lejoni që në këtë ditë të madhe për kombin tuaj, t’ju shpreh ju personalisht dhe qytetarëve të Washington DC, urimet më të mira dhe t’ju siguroj për vendosmërinë dhe angazhimin tim, për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin mes dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Washington DC”, përfundon mesazhi i urimit drejtuar kryebashkiakut të Washington DC, me rastin e ditës së pavarësisë së SHBA-së.





