DURRËS, 2 korrik 2013 – Për një tender 6 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme (më 17 qershor 2013) njoftohet fituesi tri ditë pas tyre (më 26 qershor 2013).

Më 26 qershor 2013, Posta Shqiptare SHA i ka dërguar formularin e njoftimit të fituesit bashkimit të operatorëve Albital Canon SHPK dhe Real Com SHPK në Durrës, bëhet e ditur në buletinin e prokurimit publik të 1 korrikut 2013.

Bëhet fjalë për një tender për blerje kompjuterësh, printerësh, lexuesi bar-kodesh dhe peshoreje elektronike, me fond limit: 29 526 000 lekë, që u zhvillua më 17 qershor 2013.

Në garë u paraqitën tre ofertues:

1. Bashkimi i operatorëve Albital Canon SHPK dhe Real Com SHPK me vlerë oferte prej 28 625 000 lekë.

2. Operatori Alen – Co SHPK, që nuk kishte paraqitur ofertë ekonomike, prandaj kuptohet që u shkualifikua.

3. Operatori BNT Electronic’s SHPK me vlerë oferte 29 190 000 lekë, por nga shqyrtimi i ofertës, rezultoi se nuk përmbushte plotësisht parametrat teknikë për peshoren elektronike pasi kerkohej peshoret elektronike te kishin kapacitet deri në 30 kg; kurse ajo e BNT-së kishte kapacitet deri në 15 kg.

Prandaj, sipas ndërmarrjes publike Posta Shqiptare, SHA fitoi firma e njohur durrsake, që i kurseu shtetit 901 mijë lekë.

Info /

Më 7 dhjetor 2012, Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani (nga Durrësi) shprehu konsideratën e lartë për Drejtorin e Përgjithshëm të Postës Shqiptare, z. Arqile Gorea (nga Durrësi), duke nënvizuar se” “Zoti Gorea ka ditur të ofrojë aftësitë e një mjeshtri në organizim, në drejtim dhe në menaxhim. Ndaj, për ne, sot është rasti më i mirë për ta vlerësuar zotin Gorea si një ‘Mjeshtër i Madh’”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/