DURRËS, 2 korrik 2013 – Asnjë subjekt që shkakton ndotje akustike në zonat turistike të Durrësit dhe jo vetëm, nuk do të lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre përgjatë sezonit veror. Paralajmërimi vjen nga agjencia rajonale e Mjedisit, në Durrës e cila garanton se do të zbatojë të gjithë detyrat që ligji i ngarkon për parandalimin e ndotjes akustike gjatë sezonit veror, një shqetësim ky, i kahershëm për të gjithë pushuesit që frekuntojnë plazhin e Durrësit por edhe për banorët e zonave të ndryshme.

"Të gjithë subjektet që kryejnë aktivitetin e tyre si disko, klube muzike, pabe, etj, do të jenë në qendër të vëmendjes së kontrolleve të vazhdueshme nga ana e inspektorëve të cilët do të ngrihen posaçërisht për këtë problem,"- paralajmëron Ramazan Kalia, kreu i ARM-ës Durrës. 

Sipas Kalias, inspektorët e ARMS-ës do të bashkërendojnë punën e tyre me forcat e rendit si dhe njësitë vendore, në drejtim të goditjes së çdo subjekti i cili tenton të shkelë ligjin dhe oraret e përcaktuara mbi lejimin e ushtrimit të aktivitetit të muzikës. 

Teksa premton një punë sistematike nga ana e inspektorëve, Kalia pohon se duke nisur nga java e ardhshme, për ambientet e hapura, për ditën e premte dhe të shtunë, orari i lejimit të aktivitetit do të jetë 19:00 – 24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës, orari i lejimit të aktivitetit do të jetë 19:00 – 23:00, duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës të përcaktuara në Udhëzimin e Përbashkët të Ministrit të Mjedisit dhe Ministrit të Shëndetësisë.

Në një kohë që sezoni veror tashmë ka nisur masivisht, subjektet të cilat do të ushtrojnë aktivitetin e muzikës, ende nuk kanë paraqitur kërkesën, për t'u pajisur me leje mjedisore, ç'ka do të thotë që situata e një viti më parë rrezikon të përsëritet.

Sezonin e kaluar nga 28 subjekte që ushtronin aktivitetin e muzikës, vetëm 10 prej tyre u pajisën me leje mjedisore, duke sjellë penalizimin e disa prej tyre, nga gjobë deri në ndjekje penale.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/