TIRANE, 2 korrik 2013 – Një prej deputetëve të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka dalë sot në një konferencë për shtyp dhe ka pohuar se do të garojë për kreun e ri të Partisë Demokratike.
Ky zhvillim vjen pak ditë pasi Sali Berisha dha dorëheqjen si drejtues i demokratëve pas 2 dekadave në krye të kësaj partie.
Olldashi theksoi se do të përfaqësojë denjësisht vlerat e militantëve demokratë në këtë garë për kreun e ri të PD.
"Pas shumë e shumë takimeve me përfaqësues të strukturave bazike të partisë dhe pas takimit që zhvillova dje me kryetarin Sali Berisha i jam drejtuar kryesisë së partisë me kërkesën për regjistrimin e kandidaturës për garën e shpallur për kryetarin e Partisë Demokratike. Hyj në garë duke përfaqësuar militantët e PD, me krenari se jam pjesë e opozitës së kësaj partie në vitet para 2005 dhe pjesë e arritjeve të kësaj qeverie. Hyj me shpresën që nga opozitë sot të jetë shumicë nesër. Besoj se proceset zgjedhore nuk janë pazare dhe shumica e shqiptarëve besojnë në moralin për të çuar vendin përpara”.





