TIRANE, 2 korrik 2013 – “Shqipëria mundet të marrë në dhjetor statusin kandidat për në BE dhe këtë shpresojmë të gjithë, dhe është dicka që mund të arrihet”, është kjo deklarata që ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, bëri për gazetarët pas takimit me kreun e PS-së Edi Rama. 

Kreu i prezencës së BE-së, Ettore Sequi mbërriti mesditën e sotme në selinë rozë ku zhvilloi  një takim me kryesocialistin Rama, i cili bashkë me koalicionin Aleanca për Shqipërinë Evropiane, fitoi zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, dhe ashtu sic ka paralajmëruar do të marrë drejtimin e qeverisë për 4 vitet e ardhshme. 

Ambasadori në takimin e dytë brenda pak ditësh me kreun e opozitës, gjatë prononcimit për media bëri me dije se në takim u diskutua angazhimi i qeverisë së re për të punuar fort mbi axhendën evropiane të vendit. Sequi tha se Rama e siguri atë se procesi i integrimit do të jetë gjithëpërfshirës dhe jo përjashtues. 

“Doja të përgëzoja zotin Rama, por dhe koalicionin e majtë për fitoren. Dëshiroj të marr këtë mundësi të uroj popullin shqiptar. Folëm me zotin Rama të ardhmen Evropiane të Shqipërisë dhe sfidat që ka Shqipëria përpara. Ne diskutuam faktin se axhenda evropiane është në krye të qeverisë se re. Unë i theksova Ramës mbështetjen e BE në mënyrë që të vhet në zbatim kjo axhendë e re. Disktuam faktin se qeveria do punoj fort për të vënë në zbatim këtë axhende dhe nevoja dhe mënyrën si do të ndodhe kjo. Po ashtu iu referova fjalimit elokuent të zotit Rama që tha se do dominojë gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi”, u shpreh Sequi. 

Duke iu referuar zgjedhjeve të 23 qershorit, ambasadori Sequi tha se ato treguan se fryma e kompromisit po bëhet element i ri i politikës shqiptare, teksa shtoi se BE pret që procesi zgjedhor të përfundojë në mënyrën dhe kohën e duhur. 

“Po ashtu duket nga këto zgjedhje se fryma e kompromisit do të behet element i ri i politikës shqiptare. Ne shpresojmë se procesi zgjedhor do përfundojë në mënyrën dhe kohën e duhur. Ajo që lipset tani është të ketë tranzicion të mirë drejt pushtetit, i cili do përqendronte përpjekjet ne axhendën e BE”, theksoi Sequi, i cili u ndal dhe tek anëtarësimi i Kroacisë në BE, duke bërë apel që shteti më i ri i familjes Evropiane të kthehet në frymëzim për Shqipërinë.