DURRËS, 2 korrik 2013 – 450 abonentë, janë ndëshkuar individualisht me ndërprerjen e energjisë elektrike nga ana e CEZ-it për shkak se nuk paguanin prej kohësh.
Aksioni i ditës së sotme është përqëndruar në lagjen numër 13 Durrës, ku punonjës të Cez-Shpërndarjes kanë nisur ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme por edhe të abonentëve, të cilët janë debitorë.
Drejtori i Departamentit të Shitjes në CEZ-Shpërndarje, Ilirian Shkëmbi, i pranishëm gjatë ndërprerjes së energjisë pohon se debia e 450 abonentëve arrin në 43 milion lekë.
"Jemi në këtë zonë të Durrësit për ndërprejen e energjisë elektrike për debitorët, duke filluar nga familjarët, privatët, etj, të cilët prej kohësh nuk shlyejnë detyrimet përkatëse pranë kompanisë Cez-Shpërndarje. Në zonën në të cilën ndodhemi është bërë një investim i ri nga ana e CEZ-it, ku çdo abonenti i është garantuar furnizim me energji pa ndëprerje, por nga ana e tyre tentohet të bëhen lidhje të paligjshme, ç’ka kemi ndërmarrë një aksion ditën e sotme për ndëshkimin e të gjithë debitorëve. Debia 450 konsumatorë në këtë zonë është e madhe, ku arrin 43 milion lekë të reja",- tha Drejtori i Departamentit të Shitjes në CEZ-Shpërndarje, Ilirian Shkëmbi.
Për rastet e përsëritura, ku abonentët pas ndërprejes së parë, kryejnë lidhje të paligjshme, Shkëmbi paralajmëron se do të çohen deri në ndjekje penale.
Kompania CEZ, njofton se puna për ndërprejen e abonentëve që nuk paguajnë energjinë elektrike do të vijojë, ndërsa granton furnizim me energji elektrike të të gjithë zonave turistike përgjatë sezonit veror.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





