TIRANE, 2 korrik 2013 – Koalicioni për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në politikë kërkon nga Partia Socialiste që të respektojnë kuotën gjinore 30 për qind gra në qeverinë e re.
Në një letër të hapur drejtuar Partisë Socialiste, si forca fituese e zgjedhjeve parlamentare, koalicioni ka vënë në dukje se mosrespektimi i kuotës gjinore në listat e deputetëve ka sjellë që vetëm 25 gra të jenë pjesë e kuvendit të ardhshëm.
“Deri më tani nuk dihet zyrtarisht se si po proçedohet për përzgjedhjen e kabinetit të ardhshëm dhe se sa të përfshira janë gratë në këtë proces vendim-marrës. Nisur nga kjo mungesë transparence dhe nga eksperiencat e mëparshme, kur gratë dhe vajzat kanë qenë gjithmonë të nën-përfaqësuara në Qeveri dhe qeverisje, Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë i kërkon publikisht Partisë Socialiste, si forca fituese e zgjedhjeve parlamentare, të respektojë dhe zbatojë kuotën gjinore 30% në përbërjen e qeverisë së ardhshme. Partitë kryesore politike kanë një historik të gjatë të mos-zbatimit të ligjeve për barazinë gjinore dhe premtimeve të tyre elektorale. Kuota gjinore nuk u zbatua gjatë zgjedhjeve të fundit, çka solli edhe një numër të vogël të grave që do të jenë deputete të parlamentit të ardhshëm. Rezulton se në Kuvendin e ardhshëm do të kemi 25 gra deputete, pra rreth 17%, çka është ende shumë larg kuotës gjinore minimum 30 % të synuar dhe premtuar nga partitë politike”- thuhet në letër.
Ja disa nga kërkesat e koalicionit për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë drejtuar Partisë Socialiste dhe të gjitha partive politike të koalicionit të majtë.
1. Të zbatojnë kuotën gjinore 30% të përfaqësimit të grave në qeverinë e ardhshme (5 ministre gra) që rrjedh nga Ligji ‘Për barazinë gjinore në shoqëri’.
2. Të ndërmarrin një proces demokratik dhe transparent vendim-marrjeje për përbërjen e kabinetit të ardhshëm qeveritar.
3. Të përmbushin angazhimet e tyre publike në mbështetje të grave dhe vajzave në vendimmarrje, përmes zbatimit të ligjit dhe vendosjes së standartave të reja të arritjes së barazisë gjinore në Shqipëri.
Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë shpreh bindjen e tij se zbatimi i kërkesave të tyre për respektimin e ligjit dhe të të drejtave të grave janë mënyra më e mirë për të dëshmuar seriozitetin e premtimeve politike të partive fituese në zgjedhje dhe për të treguar sesa të zhvilluar dhe demokratik doni ta bëni vendin dhe shoqërinë shqiptare!





