TIRANE, 2 korrik 2013 – Zv/drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Brecani i ka bërë thirrje gjithë mbështetësve të partisë Demokratike që ashtu sic bënë në vitin 1991, të ngrihen për të larguar kryeministrin e ardhshëm Edi Rama. 

Teksa rezultati i fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, nga të majtët nuk është certifikuar ende, Brecani nëpërmjet një postimi në faqen e tij personale në ‘Facebook’, teksa përshëndet kryeministrin Berisha duke e etiketuar si liderin historik të shqiptarëve, etiketon Ramën si “Enver Hoxha i dytë” dhe “Hitler që do të gjunjëzojë shqiptarët”. 

“Përshendetje liderit historik të shqipëtarëve Doktorr Sali Berishës e duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish deri sa të largojmë pinjollët e komunistave me në krye Edvin Ramen ta largojmë këtë Enver të dytë ne që dikur studenta të ‘91 shembëm diktaturën Enveriste do gjejmë forcë dhe optimizëm do të ngrihemi të tërë së bashku me rininë që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët”, shkruan Brecani. 

Brecani, i cili aktualisht mban postin e zv/drejtor të policisë së Tiranës ka pasur jo pak incidente me partinë Socialiste, ku mund të përmendin përplasjen e me deputetin Saimir Tahiri pas përleshjeve mes policisë dhe banorëve të një pallati në zonën e ‘Petro Nini Luarasit’, pasi përmbaruesi privat tentoi t'i nxirrte jashtë banesave. 

Ndërkohë, që kreu i PS-së Edi Rama dhe selia rozë, kanë sulmuar vazhdimisht Policinë e Shtetit si të implikuar me 'kupolën e krimit' në vend.