TIRANE, 2 korrik 2013 – Kryetari i LSI, Ilir Meta i ftuar dje në emisionin “Opinion” të gazetarit, Blendi Fevziu në TV Klan deklaroi se do diskutohet mundësia e shtimit të numrit të ministrive. Ai bëri të qartë se aleanca me PS-në do të zgjasë 8 vjet. 
 

Z. Meta, keni blerë vota ju apo jo? 

Kjo është fare qesharake. Këtë e dëgjuam në vitin 2011 kur ne arritëm një rezultat të paparashikueshëm për ata që përsëri bënin sondazhe në Tiranë, se i morën votat si ja hoqën njerëzit nga puna. Tani ne na i hoqën të gjithë njerëzit nga puna sepse ne dolëm në opozitë dhe tani dalin me pretendime të tilla. Këto janë tepër qesharake dhe janë rezultat i politikanëve të dëshpëruar, të cilët nuk pranojnë faktorët kryesorë që u sjellin një rezultat të caktuar por gjithmonë kërkojnë të krijojnë pretekste dhe justifikime për humbjen e tyre. 
 

Një pretendim i tillë është publikuar edhe tek Uashington Post që thotë se shqiptarët u joshën nga pagesat në cash dhe nga vendet e punës dhe se askush përveç makinerisë së Metës nuk e bën më mirë këtë punë. Si i komentoni këto deklarata? 

Kjo është një gjë fare qesharake që po dëgjoj dhe natyrisht edhe unë kam të drejtë të them se sa euro është paguar ky artikull. Vetë një diplomat amerikan në Shqipëri ka parë dy sondazhe dhe të dyja sondazhet në Fier dhe Tiranë kanë qenë fiks në 13 maj siç kanë dalë rezultatet në 23 qershor. Kështu që këto janë shkrime të porositura, siç janë edhe analistë që nuk mund të pranojnë dështimin e tyre, të cilët janë tendenciozë dhe natyrisht unë tashmë mund të vë në pikëpyetje se sa kanë marrë për këtë apo për atë. 
 

Për ju, vota e 23 qershorit a ishte një votë ndëshkuese për qeverinë Berisha dhe nëse ishte, pse nuk ishte e tillë edhe për ju që keni bashkëqeverisur për katër vjet?

Ky ka qenë një mesazh për një ndryshim, njerëzit janë lodhur shumë nga presioni i politikës në shoqëri, nga presioni i politikës në jetën sociale, nga presioni i jashtëzakonshëm i politikës në media, nga protagonizmi i tepruar i politikës dhe nga konflikti që ajo sjell. Dhe natyrisht ka qenë një trysni e madhe që e ka marrë përgjigjen në mënyrë të qetë në fund fare. Të jeni të sigurt se një pjesë e madhe e atyre që kanë shkuar nëpër mitingje kanë votuar për opozitën. Shkonin nëpër mitingje sepse nuk donin të humbitnin vendin e punës. Lidhur me LSI, sepse ju shpesh flisni për LSI-në, unë nuk kam folur për këto gjëra dhe jam përpjekur që të jem korrekt pasi kam pasur një marrëveshje me PD-në dhe nëse shqiptarët e vlerësojnë Ilir Metën dhe LSI-në, e vlerësojnë për karakterin e tyre dhe jo për mungesën e karakterit. Ne nuk kemi dashur të bëjmë koalicion me PD-në në vitin 2009. Rrethanat që erdhën impononin vetëm atë zgjidhje si faktor stabiliteti, si mundësi për të vazhduar disa procese.

Këto përralla, jo 20 për qindëshi, këto vërtet kanë qenë në letër dhe asnjëherë nuk janë zbatuar dhe ne asnjëherë nuk kemi bërë debat për këto gjëra. Në sistemin e arsimit që nuk e di se sa ka Shqipëria, ka 20 mijë arsimtarë, as 50 mësues nuk janë futur nga LSI. Por, nuk ka qenë dhe nuk është ky problemi. Apo në 10 ministri s’ka pasur asnjë njeri që të ketë qenë në administrim si një person i LSI. Apo mund t’ju them që në Ministrinë e Ekonomisë, atje 80 për qind e drejtorëve kanë qenë të Partisë Demokratike dhe nuk i zbatonin porositë e ministrave që ishin atje sepse merrni porosi në tjetër vend. Apo në Ministrinë e Shëndetësisë ku gjysma e sistemit drejtohej nga tjetër kush e kështu me radhë. Pra, e gjithë kjo ka qenë një përpjekje e PD-së që të mirat t’i merrte PD-ja, liberalizimin e vizave ta merrte PD dhe të mos merrte merita LSI edhe pse zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm në atë kohë ishte koordinator i gjithë procesit. Ndërsa për problemet e kishte fajin këta të LSI-së. Njerëzit i kuptojnë gjërat shumë drejt dhe shumë qartë që nuk është LSI përgjegjëse për problemet serioze gjatë katër viteve që kaluan. LSI ka pasur një rol të rëndësishëm por edhe modest për të atë përfaqësim që ka pasur sepse 4 deputetë ka pasur LSI. 
 

Çfarë garancie ekziston që këto probleme të mos ndodhin edhe me PS-në? 

Marrëveshja me PS-në është një marrëveshje shumë e natyrshme. Mendoj se është një marrëveshje shumë e hapur, transparente. E përgatitur në kohë. Nuk është një marrëveshje që vjen si rezultat i një situate delikate. Ne kemi vendosur një aleancë strategjike që do thotë që para zgjedhjeve, që edhe në rast se humbitnim do të qëndronim në opozitë. Natyrisht që thelbi i kësaj marrëveshjeje është angazhimi ynë që brenda 8 viteve Shqipëria të jetë një anëtar i Bashkimit Evropian, siç u bë Kroacia sot. 
 

A bën pjesë në marrëveshjen tuaj me PS ideja që ato ministri që do i drejtoni ju në nivelin politik do i drejtoni vetëm ju, dhe ato që do i drejtojë PS do i drejtojë vetëm ajo, sepse ju thatë që marrëveshja me PD nuk ka qenë e natyrshme, por dhe marrëdhëniet tuaja me PS nuk kanë qenë të lehta? 

Mendoj se e kaluara ka sjellë mësime të vlefshme për të gjithë ne. Ne kemi detyrë të mësojmë jo vetëm nga gabimet tona, por të mësojmë dhe nga gabimet e Berishës, e demokratëve dhe e gjithë të tjerëve dhe në këtë kuptim të ecim më shpejt drejt një mënyre të re të bërit politik. Në raport me PS të jeni të sigurt që do të jetë një marrëveshje që do të funksionojë shumë mirë, sepse është një marrëveshje parimore dhe qeveria do të funksionojë si një e tërë. Do të ketë frymën e ekipit dhe të angazhimit të përbashkët kështu që nuk do të ketë disa nënqeveri. 
 

I keni ndarë postat e ministrave? 

Jo nuk i kemi ndarë. Janë përgjegjësitë e kryeministrit dhe të kryetarit të kuvendit. Po punohet për të konkretizuar programin qeverisës, pra programin elektoral duke e shndërruar në një program qeverisës. Po punojnë ekspertët. 
 

Do shtohet numri i ministrive? 

Këtë gjë nuk e di nëse do të shtohet apo jo, dhe nuk është kjo më e rëndësishmja. E rëndësishme është qeveria do të jetë një e tërë. 
 

A ka një marrëveshje mes jush dhe z.Rama që përtej kryetarit të Kuvendit ju mundëson ju edhe kandidimin për President të Republikës në fund të mandatit? 

Nuk kemi marrëveshje përveç marrëveshjes së Shkodrës. Çdo marrëveshje tjetër që do të bëhet në vijim të marrëveshjes së Shkodrës do të bëhet publike. 
 

E aspironi ju postin e Presidentit të Republikës? 

Ne jemi në funksion të zgjidhjeve më të mëdha që dalin përtej dëshirave dhe ambicieve individuale. 
 

Që do të thotë kjo e fundit? 

Kjo do të thotë së detyrën e kryetarit të Kuvendit, në rast se Kuvendi do të ma besojë mua, unë do ta kryej në mënyrë më konstruktive, më të përgjegjshme. 
Keni përcaktuar një afat të marrëveshjes me Partinë Socialiste duke qenë se deri tani e keni cilësuar vetëm si strategjike? 
Nuk ka afat eksplicit por ka një objektiv strategjik; anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mundësisht brenda 8 viteve. 
 

Pra, është një marrëveshje e shtrirë në 8 vjet? 

Kështu duhet të kuptohet. 
 

Sa poste ministrore do të marrë LSI-ja? 

Nuk është fare kjo më e rëndësishmja. Në këtë moment më e rëndësishmja është të ecim drejt realizimit të programit të LSI-së për rritjen e punësimit në vend. 
 

Aleatët e tjerë të koalicionit a do të përfshihen në qeveri në poste ministrore? 

Sigurisht që Aleanca për Shqipërinë Evropiane është një e tërë. 
 

A do ta pranonit në koalicion PDIU-në nëse do të kishte një tentativë të tillë lëvizjeje? 

Nuk mund të flas në emër të gjithë koalicionit, sepse kjo nuk është etike. Por unë e kam thënë edhe para zgjedhjeve të 13 qershorit që fryma gjithëpërfshirëse do të jetë e pandalshme. 
 

Z. Meta do të shtonin numrin e ministrive apo struktura e qeverisë do të mbetet e njëjtë? 

Çështja e strukturës do të diskutohet. I takon Kryeministrit të ardhshëm të bëjë propozimet e para sepse ai vetë do të jetë Kryeministër. 
 

Ju vetë sa ministri do të kërkoni? 

Nuk është kjo më e rëndësishme për ne. 
 

Nga PS është deklaruar se ministrat nuk do të jenë deputet. Mendoni që do të cenohet niveli profesional i qeverisjes kur qeveria nuk do të jetë e përfaqësuar nga nivelet më të larta politike dhe kapacitet më të larta profesionale që ka të paktën nga PS? 

Unë nuk kam asnjë arsye që të ndërtoj përgjigje mbi komentet që ju keni dëgjuar. Por në respektin tuaj mund tju them që kjo është një reformë. Unë besoj që është një hap pozitiv sepse i jep mundësi qeverisë të jetë plotësisht efikase, i jep mundësi parlamentit të jetë plotësisht efikas, sepse ne kemi parë raste kur është shtyrë parlamenti sa të vij ministri që është atje apo të vij nga jashtë shtetit, të vij të votojë si deputet, e kështu me radhë. Kështu që nuk ka asgjë të keqe, njerëzit bëjnë zgjedhjet e tyre mbi bazë të propozimeve që bën drejtuesi i qeverisë. Të dyja janë detyra shumë të rëndësishme, shumë të çmuara si e deputetit, si e ministrit, nuk mendoj se Shqipëria nuk ka njerëz për ministra.