TIRANE, 1 korrik 2013 – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti sot Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë Carola Müller-Holtkemper me rastin e përfundimit të detyrës së saj në Shqipëri.
Meta i shprehu Ambasadores Holtkemper mirënjohjen për kontributin e saj në shërbim të forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, veçanërisht në planin ekonomik.
Duke biseduar për zgjedhjet e 23 qershorit, Ambasadorja Holtkemper i shprehu z. Meta vlerësimin për rezultatin e qartë dhe fitoren e koalicionit të majtë pas pjesëmarrjes masive të shqiptarëve, si dhe e uroi atë për marrjen e përgjegjësisë së Kryetarit të Kuvendit.
Z. Meta theksoi se tani është koha për reforma të mëdha ekonomike dhe për t’i dhënë shpresë shpirtit evropian të shqiptarëve, për të siguruar një qeverisje bashkëpunuese dhe konkrete, dhe për t’i dhënë një shtysë të fortë procesit të integrimit evropian me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat në BE brenda këtij viti.
“Në këtë kontekst, marrëdhëniet me Gjermaninë janë prioritet parësor”, u shpreh kreu i LSI.





