BISHKEK, 1 korrik 2013 – Sikurse njofton zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kirgizisë / Kirgistanit, më 1 korrik 2013, ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në këtë shtet, me rezidencë në Ankara të Turqisë, Genc Muçaj, i dorëzoi kopjet e letrave kredenciale shefit të diplomacisë së Bishkekut, Erlan Abdildajev.
Abdildajev vuri në dukje nevojën e rritjes së nivelit të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve; u shpreh interes për zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve të ndërsjella në sferat politike, ekonomike, tregtare, kulturore-humanitare.
Po më 1 korrik 2013, Presidenti i Republikës së Kirgizisë Almazbek Atambajev, mori në dorëzim letrat kredenciale të ambasadorëve të rinj të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Republikës Islamike të Pakistanit, Republikës së Zambias, Mbretërisë së Tajlandës, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Filipineve, njoftoi zyra e shtypit e presidencës së Kirgizisë.
Duke iu drejtuar ambasadorit shqiptar, presidenti Atambajev shprehu mbështetjen e tij për interesin e shfaqur nga ana e Shqipërisë për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit me Kirgizinë.
Info/
Kirgizia ose Kirgistani që ndodhet në pjesën qendrore të Azisë, kufizohet në lindje me Kinën, në veri me Kazakistanin, në perëndim me Uzbekistanin, ndërsa në jug me Taxhikistanin; ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 198 500 km katrorë dhe popullsi 5 550 239 banorë (regjistrimi i vitit 2010); kryeqytet është Bishkek-u; në vitin 1919 u vendos pushteti komunist sovjetik; më 5 dhjetor 1936, u krijua Republika Sovjetike Socialiste e Kirgizisë, si anëtare me të drejta të plota e ish-Bashkimit Sovjetik; shpalli pavarësinë më 31 gusht 1991, u njoh si shtet i pavarur më 25 dhjetor 1991.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





