TIRANË, 1 korrik 2013 – Në portin e Durrësit që prej tre ditësh ka filluar lundrimi i një trageti në linjën Brindizi-Durrës e kthim, i cili pas 26 korrikut do të jetë në shërbim të udhëtarëve çdo mbrëmje, raporton agjencia zyrtare e lajme ATSH.
Trageti që ka një kapacitet prej 800 udhëtarësh dhe 145 automjetesh do të lundrojë pasdite dhe gjatë natës. Aktualisht lundrimi ofrohet tre herë në javë, me nisje nga portet përkatëse.
Ky itinerar mungonte prej shumë vitesh dhe, sipas specialistëve, do të lehtësojë lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave me tragete nga vendi ynë në Italinë fqinje dhe anasjelltas.
Nga terminali i udhëtarëve në portin e Durrësit, çdo mbrëmje lundrojnë drejt portit të Barit 2-4 tragete, në varësi të stinës dhe të kërkesë-ofertës, dhe po i njëjti numër mjetesh lundruese udhëton çdo natë në drejtim të kundërt.
Tri herë në javë ka lundrime edhe me tragetet e linjës Durrës-Ankona e kthim, ndërsa një kompani tjetër ka vënë në dispozicion tragetin e saj për itinerarin Durrës-Trieste e kthim, kryesisht për automjetet, kamionë dhe trajlerë të linjave rrugore nga vendet e Evropës qendrore dhe veriore.
Distanca nga Durrësi në Brindizi është më e afërt dhe lundrimi zgjat rreth 5 orë.
Aktualisht në linjat detare të trageteve me Italinë nga porti i Durrësit lundrojnë 14 tragete, me kapacitete deri në 2100 udhëtarë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





