TIRANË, 1 korrik 2013 – Më 3 korrik 2013, qarku i Durrësit mund të përfshihet nga zjarret në pyjet nga Ishmi deri në Shkëmbin e Kavajës, parashikimin “e nxehtë” e bëjnë enti i specializuar shqiptar-italian.
E diela pasdite, 30 qershor 2013, shënoi sinjalin e parë se po afron stina e nxehtë për zjarre, sikurse ndodhi në Durrës, në pyllin me pisha të Kodër Vilës.
Qendra Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Kërkimin dhe Monitorimin në Mjedis – CIMA (Itali), ka bërë parashikimet për datat 2 dhe 3 korrik 2013 mbi nivelin e rrezikut të zjarreve në pyje sipas parashikimeve për datën 2 korrik 2013.
Përmbledhje e gjendjes
Për datën 2 korrik 2013 shumica e rretheve do të mbeten në nivelin e ulët të rrezikut dhe vetëm disa rrethe do të jenë në nivelin mesatar të rrezikut, thotë Qendra Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore.
Kjo analizë është realizuar mbi bazën e rrezikut mesatar të çdo rrethi, por brenda çdo rrethi ka zona të cilat paraqesin një rrezikshmëri më të lartë se të tjerat.
Më konkretisht, pjesa kufitare midis Tiranës dhe Kavajës, zona juglindore e Fierit, pjesa perëndimore e Mallakastrës, pjesa jugore e Skraparit, pjesa veriperëndimore dhe ekstremi juglindore në Kolonjë, pjesa jugore e Sarandës dhe pjesa e Llogarasë bashkë me Karaburunin në Vlorë.
Nga sa shihet në hartën e datës 3 korrik 2013, qarku i Durrësit përfshihet në nivelin mesatar të rrezikut për zjarre, gjë që duhet të tërheqë vëmendjen e institucionit të prefektit, Këshillit të qarkut, komunave dhe bashkive, ndërmarrjes pyjore.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





