DURRËS, 1 korrik 2013 – Ekipi i shoqatës së gjuetarëve “Pali Roço” të Durrësit do të jetë pjesëmarrës në edicionin e 36-të të kampionatit kombëtar të qitjes me pjatel, që do të zhvillohet të shtunën në qytetin e Beratit.
Në këtë edicion do të marrin pjesë 9 skuadra, që janë shpallur fituese të tre vendeve të para në tre konkurrimet paraprake që mblodhën në grupe të veçanta gjuetarët e qyteteve jugore, ata të veriut dhe të zonave qendrore të vendit.
Kryetari i kësaj shoqate, Asti Hanxhari, thotë se ekipi durrsak i qitjes me pjatel javën e kaluar u shpall fitues i vendit të parë, mes shtatë skuadrave që konkurruan në fazën eliminatore për shoqatat e Shqipërisë qendrore, garat e së cilës u zhvilluan në qytetin e Elbasanit.
Pesë anëtarët e skuadrës së shoqatës “Pali Roço” grumbulluan 51 pikë nga 60 të mundshme, duke lënë pas ekipet e Kavajës me 43 pikë dhe “Elbasanin 3” me 41 pikë.
Sekretari i shoqatës, Vasil Aleksi tha se në garat eliminatore gjuetari durrsak Mario Hanxhari u shpall fitues i vendit të parë si qitësi më i mirë me pjatel i turneut me 12 pikë.
25-vjeçari trashëgon nga gjyshi Kosta dhe i ati, Asti Hanxhari, pasionin për gjuetinë.
/g. k. & th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





