DURRËS, 30 qershor 2013 – Plazhi i Shkëmbit të Kavajës me detin e kristaltë dhe rivierën e mrekullueshme është kthyer në një nga zonat më të preferuara për të kaluar fundjavën.
Përveç banjove të diellit dhe aktiviteteve të ndryshme sportive, një pjesë e pushuesve kanë zgjedhur një mënyrë krejt të veçantë për të kaluar një ditë pushimi.
Të lexuarit nën çadër, ndërkohë që mer rreze dielli, konsiderohet, jo vetëm si një mënyrë për t'u relaksuar për pjesën më të madhe të tyre, por edhe për t'u informuar.
"Përpara se të nisem drejt plazhit, marr gjithmonë me vete dhe libra, pasi të lexosh ndërkohë që pushon është një mënyrë mjaft e mirë për të kaluar një ditë relaksi", thotë Jetmira, një pushuese e ardhur nga Tirana.
Epoka dixhitale që ka përfshirë të gjithë botën, po largon gjithmonë e më shumë njerëzit nga lëximi, ndaj lexueset e rregullta rekomandojnë që çdo kush të marë një libër me vete përpara se të nisen drejt plazhit.
"Të lexosh në plazh, është një nga mënyrat më të mira për të kaluar pushimet. Të lidhur pas librave më mban jo vetëm profesioni im si arsimtare, por edhe dëshira për të qenë e informuar gjatë gjithë kohës. Nëse qëndroj në shtëpi nuk kam shumë kohë për të lëxuar, në plazh ndodh krejt e kundërta, ndaj do t'ju rekomandoja të gjithë pushuesve kryesisht të rinjve, që përpara se të nisen të marrin me vete edhe një libër", shprehet Mira.
Vera konsiderohet si koha ideale për të lexuar, e cila stimulon dëshirën për të njohur dhe kuptuar, ndaj përvec aksesorëve të plazhit, pushuesit marrin me vete edhe librat e tyre të preferuara.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





